Franca do ta nderojë mësuesin e vrarë me titullin më të lartë, “Legjion Nderi”

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 12:41
Franca do ta nderojë mësuesin e vrarë me titullin më të lartë, “Legjion Nderi”

Autoritetet franceze do ta nderojnë mësuesin e vrarë, Samuel Paty, me titullin më të lartë që mund t’i jepet një personi, Legjioni i Nderit. Kështu tha ministri francez i Arsimit, Jean-Michel Blanquer.

Paty u vra të premten afër një shkolle në periferi të Parisit nga një djalë 18-vjeçar me origjinë çeçene. Policia e qëlloi për vdekje sulmuesin, shkruan The Guardian.

Besohet se i riu u motivua për aktin nga publikimi i karikaturave të profetit Muhamed nga viktima gjatë një ore mësimi ku po flitej për lirinë e shprehjes. Myslimanët e cilësojnë blasfemi çfarëdo ilustrimi që e paraqet pejgamberin Muhamed.

Vrasja e këtij mësuesi e ka tronditur Francën dhe i ka ngjallur kujtimet e trishta të vitit 2015, kur ishte sulmuar selia e revistës satirike “Charlie Hebdo”. Figurat publike të Francës e kanë cilësuar këtë akt si sulm ndaj republikës dhe ndaj vlerave franceze.

Të mërkurën, një ceremoni nderimi për mësuesin e vrarë do të mbahet në Universitetin e Sorbonës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se sulmi ndaj mësuesit Paty është sulm terrorist islamik.

(Kosova Sot Online)