Trumpi po synon t’i shpallë antisemite tri organizata humanitare që po e kritikojnë Izraelin

  • E.K /
  • 22 October 2020 - 12:22
Trumpi po synon t’i shpallë antisemite tri organizata humanitare që po e kritikojnë Izraelin

Administrata e presidentit Donald Trump raportohet se është duke e shqyrtuar mundësinë që disa organizata të njohura humanitare me shtrirje ndërkombëtare t’i cilësojë zyrtarisht si antisemite pasi ato i dokumentuan shkeljet e të drejtave të palestinezëve nga Izraeli, përfshirë ndërtimin e vendbanimeve në territoret e okupuara.

Në mesin e grupeve që mund të kategorizohen si antisemite janë organizatat me seli qendrore në Britaninë e Madhe, “Amnesty International” dhe “Oxfam”, si dhe organizata me seli qendrore në Shtetet e Bashkuara, “Human Rights Watch”, shkruan The Guardian.

Organizata “Amnesty International” i akuzoi administratën e Trumpit dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për përpjekje që t’ua mbyllë gojën dhe t’i frikësojë organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Plani i Trumpit u publikua më në hollësi në gazetat “Politico” dhe “Washington Post”, duke u mbështetur në deklaratat e zyrtarëve të paidentifikuar dhe një ndihmësi në Kongres, i cili tha se deklarata për shpallen e këtyre organizatave si antisemite mund të publikohet që në javën e ardhshme.

Ky vendim do të ishte një dhuratë për të djathtën e Izraelit pak para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe raportohet se është duke u çuar përpara nga kryediplomati Pomepo.

Sipas gazetës “Politico”, deklarata për shpalljen e këtyre organizatave si antisemite pritet ta marrë formën e një raporti nga zyra e Elan Carr-it, i dërguar special i Shteteve të Bashkuara për monitorimin dhe luftimin e antisemitizmit.

Tri organizatat e përmendura në raportimin e medieve amerikane i mohuan akuzat për antisemitizëm. Një zyrtar i organizatës “Amnesty International” tha: “Akuzat e pabaza të sekretarit Pompeo janë një tjetër përpjekje për t’ua mbyllur gojën dhe për t’i frikësuar organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

(Kosova Sot Online)