Kina u vendos sanksione kompanive amerikane të armëve, i shitën armatim Tajvanit

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 12:23
Kina u vendos sanksione kompanive amerikane të armëve, i shitën armatim Tajvanit

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se do t’i sanksionojë disa kompani të mëdha amerikane të armëve për shkak të shitjes së armatimit në Tajvan përmes marrëveshjeve me vlerë prej disa miliarda dollarësh.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Zhao Lijian, tha gjatë konferencës së rregullt për gazetarë se cak i këtyre sanksioneve do të jenë prodhuesit “Lockheed Martin”, “Boeing Defense”, “Space & Security”, “Raytheon” si dhe individë amerikanë që kanë pasur rol në shitjen e këtyre armëve.

Reagimi i Kinës erdhi pas konfirmimit të shitjes së grupit të nëntë të armëve amerikane në Tajvan, rajon vetëqeverisës të cilin Pekini e konsideron si provincë kineze dhe kurrë nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta marrë nën kontroll me forcë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Tajvanit e ka konfirmuar blerjen e një sistemi të mbrojtjes bregdetare, të prodhuar nga kompania “Boeing” dhe që ka kushtuar 2.37 miliardë dollarë, shkruan The Guardian.

Zëdhënësi i kësaj ministrie u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që ta ndërpresin shitjen e armëve në Tajvan dhe të mos ndërtojnë raporte ushtarake me këtë rajon.

“Ne do të vazhdojmë të marrim masa të nevojshme për t’i mbrojtur sovranitetin kombnëtar dhe interesat e sigurisë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)