Ministri Selimi: Kosova aktualisht nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 11:48
Ministri Selimi: Kosova aktualisht nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro

Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Selim Selimi, në një konferencë për media bashkë me avokatët shtetërorë të Kosovës ka njoftuar për rastet që Kosova i ka fituar nëpër gjykata e ku i janë shpëtuar shtetit miliona euro.

Megjithatë, Selimi ka treguar se aktualisht Kosova nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro dhe se kanë angazhuar edhe kompani të huaja për mbrojtje.

“Kosova aktualisht nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro. Shumë prej këtyre rasteve i kemi fituar, disa janë në proces. Kemi angazhuar edhe kompani të huaja për të na mbrojtur”, ka thënë ministri.

Gjithashtu, në këtë konferencë është bërë e ditur që javën e ardhshme Kosova do të ketë përballje në gjykatë edhe për një kontest tjetër e ku pritet të shpëtohen 10 milionë euro.

Të pyetur për rastin e Telekomit, avokati shtetëror ka treguar se është rast kur është paditur direkt Telekomi dhe jo Qeveria e Kosovës, teksa ka dhënë shpjegime që Kosova aktualisht nuk ka humbur asnjë rast në arbitrazh.

(Kosova Sot Online)