Shkon në 95 numri i viktimave nga tërmeti në Izmir

  • G.G /
  • 03 nëntor 2020 - 08:38
Shkon në 95 numri i viktimave nga tërmeti në Izmir

Ka shkuar në 95 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi ditë më parë Detin Egje midis bregdetit turk dhe ishullit grek të Samos, kështu thuhet nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Sipas AFAD pas tërmetit janë regjistruar rreth 1.323 lëkundje në zonë, 43 prej të cilave më të forta se 4 ballë.

AFAD njofton edhe se 994 persona janë plagosur nga tërmeti, 847 prej të cilëve pas trajtimit janë lëshuar nga spitali, ndërsa 147 vazhdojnë të trajtohen. Duke folur në një konferencë për media në Izmir, ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit, Murat Kurum, njoftoi se numri i ndërtesave të dëmtuara rëndë dhe të shkatërruara është 58, shkruan top channel.

Për të prekurit e tërmetit që përballen me mot të ftohtë, Kurum u bëri thirrje që të kërkojnë strehim tek të afërmit e tyre. “Ne filluam procesin për krijimin e një qyteti kontejner. Ne do të krijojmë një qytet kontejner me një kapacitet për të strehuar 1 mijë njerëz në sipërfaqe prej 46.300 metra katrorë në rrethin Bayraklë”, shtoi Kurum. Kujtojmë se të premten, një tërmet 6.6 ballësh goditi Izmirin, qytetin e tretë më të madh të Turqisë me rreth 4.37 milionë banorë.

(Kosova Sot Online)