Maduros i vjen dita të tallet me ShBA-në: Ne i kemi rezultatet e zgjedhjeve brenda ditës

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 10:59
Maduros i vjen dita të tallet me ShBA-në: Ne i kemi rezultatet e zgjedhjeve brenda ditës

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, të mërkurën e kritikoi vonesën në shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion, Maduro tha: “Rezultati i zgjedhjeve në Venezuelë jepet në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve në mënyrë të saktë”, duke iu referuar fushatës për zgjedhjet parlamentare që mbahen muajin e ardhshëm në vendin e tij.

Në këto zgjedhje, Maduro po synon ta kthejë kontrollin në Asamblenë Kombëtare, e cila tash kontrollohet nga opozita, shkruan Anadolu.

“Dje filloi fushata zgjedhore në Venezuelë. Ajo është një demonstrim se si kemi sistem zgjedhor transparent, të dëshmuar, në mënyrë të civilizuar dhe në paqe”, tha Maduro.

Ai shtoi se do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 6 dhjetorit, pavarësisht fituesit, pasi iu referua përpjekjes së Trumpit për të hedhur dyshime në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

“Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe ne e urrejmë këtë kur ata pretendojnë t’i japin mësim botës për demokracinë”, tha Maduro.

Sidoqoftë, opozita në Venezuelë ka thënë se zgjedhjet e dhjetorit do të jenë mashtrim, ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime për mundësinë që rezultati i garës në vendin e trazuar të Amerikës Jugore të manipulohen.

(Kosova Sot Online)