Tradita e tranzicionit deri tek zyrtarizimi i presidentit të ri amerikan

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 22:35
Tradita e tranzicionit deri tek zyrtarizimi i presidentit të ri amerikan

Joe Biden është zgjedhur president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi ka mposhtur Donald Trumpin me votë elektorale, duke kaluar pragun e mjaftueshëm për fitore prej 270 votash. Ish-zëvendëspresidenti tani do të kalojë një procedurë të zakonshme deri të marrë detyrën, por që mund të përballet me komplikime pas paralajmërimeve se do të ketë ndjekje në gjyq për zgjedhjet.

Kur do të bëhet Bideni president?

Është e shkruar në Kushtetutën e Amerikës që presidenti i ri nis punën më 20 janar në mesditë.

Inaugurimi ndodh në Washington DC. Presidenti i ri dhe zëvendëspresidenti marrin zyrën duke u betuar para shefit të Gjykatës Supreme.

Pra, Joe Biden dhe Kamala Harris do të marrin funksionet e reja më 20 janar 2021.

Këtu mund të ketë përjashtime vetëm nëse një president vdes apo dorëhiqet. Në atë rast zëvendëspresidenti merr detyrën sa më shpejtë që mundet.

Tranzicioni

Kjo është periudha mes rezultatit zgjedhor dhe nisjes së mandatit të ri presidencial më 20 janar.

Presidenti në ardhje themelon një grup të quajtur “tranzicion” e që e përgatit për të marrë fuqinë menjëherë pas inaugurimit – dhe ekipi i Bidenit tashmë ka caktuar një uebfaqe tranzicioni.

Ata më pas do të zgjedhin njerëzit që do të shërbejnë në kabinet, caktohen prioritetet dhe përgatiten për të udhëhequr.

Anëtarët e këtij ekipi shkojnë në agjencitë federale për të marrë informata.

Më pas mbledhin gjithçka dhe përgatiten për funksionimin pas inaugurimit.

A do të ketë proces gjyqësor?

Shanset reale janë që po. Trumpi ka paralajmëruar se do të çojë në gjykatë “të gjitha shtetet ku së fundmi fitoi Bideni”, duke e akuzuar për mashtrim, por s’ka dëshmi.

Është raportuar se janë caktuar top-avokatët për të udhëhequr rastet.

Përpjekjet e tyre në disa vende tashmë janë hedhur poshtë, por ato pritet të shkojnë në Gjykatën Supreme.

Po ashtu pritet të ketë edhe rinumërime në disa shtete, me kërkesë të Trumpit, por nuk pritet të sjellin ndryshime.

Nëse Trumpi s’pranon rezultatin?

Donald Trumpi më parë kishte bërë të ditur se do të vërë në dyshim rezultatet. Nëse përpjekjet e tij dështojnë, presioni për të pranuar humbjen publikisht do të rritet. Por a duhet patjetër ta bëjë këtë?

Telefonata e pranimit të humbjes është traditë e respektueshme në politikën amerikane. Megjithatë, s’është e obligueshme.

Më 2018, për shembull, kandidatja demokrate për guvernatore, Stacey Abrams, u ankua për mashtrim dhe nuk ia pranoi kurrë fitoren kandidatit republikan, Brian Kemp.

Por kjo s’ka ndodhur kurrë në garën moderne presidenciale.

Teksa Trumpi s’është i detyruar të pranojë humbjen apo të marrë pjesë në inaugurimin e Bidenit, ai ka disa obligime. Trumpi duhet të autorizojë administratën e tij që të bëjë përgatitjet logjistike për ekipin e Bidenit. Këtë tashmë e kanë bërë, sipas zyrtarëve të kësaj administrate.

Çfarë do të bëjë Kamala Harris në periudhën e tranzicionit?

Kamala Harris, gruaja e parë zëvendëspresidente, do të caktojë stafin e saj dhe do të mësojë më shumë për punën e vet nga administrata e shkuar.

Zëvendëspresidentja punon në Shtëpinë e Bardhë, por s’jeton aty. Është traditë që ata të jetojnë në veriperëndim të qytetit, rreth 10 minuta larg nga Shtëpia e Bardhë.

Bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, është avokat që punon në industrinë e argëtimit.

Shtëpia e Bardhë

Kur çifti i parë presidencial John dhe Abigail Adams shkoi në Shtëpinë e Bardhë më 1800 – ajo s’kishte përfunduar si objekt.

Tani, pritet që një president i ri dhe familja e tij të zëvendësojë dekoret dhe orenditë. Shtëpia e Bardhë ka 132 dhoma dhe 35 banjo.

(Kosova Sot Online)