Sveçla ia kthen Agim Veliut për plumbat, ia përmend edhe atentatin ndaj tij

  • A.P /
  • 24 November 2020 - 20:34
Sveçla ia kthen Agim Veliut për plumbat, ia përmend edhe atentatin ndaj tij

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka reaguar pas një deklarate të Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu ku ky i fundit e quajti skandaloze deklaratën e kandidatit të VV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulluqit, madje tha se përdori diskurs të nxitjes së vëllavrasjes.

Sveçla përmes një postimi në Facebook i tha Veliut se dikur kishte thënë se plumbat i ka pasur prej atyre me të cilët po han bashkë tash.

“E more Agim. Plumbat dikur ke pas thënë se i ke pasur prej atyre me të cilët po han bashkë tash. Nuk ndalet ndryshimi dhe demokracia. PLAN-i mori fund, porsi PAN-i. E keni dëbuar Ilaz Pirevën, Fatmir Sejdiun e Vjosa Osmanin, e tash llapjanët e kanë vendosur t’ju dëbojnë juve nga pushteti i pamerituar e i korruptuar.Prej të hënës, Shpejtim Bulliqin e keni kryetar komune”, ka shkruar Sveçla.

Veliu përmes një postimi në Facebook kishte thënë se deklarata e Bulliqit është skandaloze dhe përdor diskurs të nxitjes së vëllavrasjes.

“Bëfsh hajr Shpejtim, që i paske heqë plumbat dhe e paske rrokë bishtin e sakicës. Të dashtun qytetarë, Është skandaloze që një bashkëvendas i imi, i Enverit e Xhemës, në prani të një ish-Kryeministri, përdorë diskurs të nxitjes së vëllavrasjes. Neve, nuk na ndalën as plumbat, e nuk do të na ndalin as bishtat! I ftoj llapjanët që masovikisht ta ndëshkojnë me votë këtë soj”, kishte shkruar Veliu.

Ndërsa, Bulliqi i cili vjen nga radhët e VV-së, në një video dëgjohet se teksa ishin duke biseduar, Bulliqi në prezencë të Kurtit ka ftuar që kundërshtarët të goditen me bisht sakice.

“Naj kujt që punon mbrapsht edhe naj bisht sakice me ja dhon mas shpine bon”, kishte thënë Bulliqi, teksa ishte duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Podujevë.

(Kosova Sot Online)