Osman Musliu pas arrestimit, ia lë fajin Naim Tërnavës për incidentin

  • A.P /
  • 25 November 2020 - 23:35
Osman Musliu pas arrestimit, ia lë fajin Naim Tërnavës për incidentin

Hoxha nga Drenasi – Mulla Osman Musliu, ka reaguar përmes një shkrimi në facebook pasi u arrestua dje në Drenas nga Policia e Kosovës.

Musliu thotë se dje ndodhi një incident në Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Drenas, por fajin ia lë kreut të BIK’ut, Naim Tërrnavës.

Sipas tij, sekretari i BIK’ut nuk tregoi respekt për Osmanin, andaj edhe erdhi deri tek ajo çka ndodhi.

“Të ndëruar qytetarë të Kosovës dhe më gjërë. Dje ndodhi një incidentë i vogël në Këshillin e BIK-ut në Drenas dhe lajmi u përhap në të gjitha anët se u arrestua Mulla Osmani. Lajmin dhe komentet rreth këtij lajmi çdo kush e bëri sipas qëllimit të vet ashtu nga dëshiron ti jap kahje. Por unë si çdoherë jam përbetuar që gjithmonë të ua them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ajo mosmarrëveshje që ndodhi dje mes meje dhe sekretarit të BIK në Drenas ishte vetëm një shpërthim i mllefit të ushqyer nga kreu i BIK, Naim Tërrnava që e ka mbjellur në Këshillin e BIK-ut kundër meje. Në këtë rast viktimë e manipulimit nga ana e kreut të BIK-ut ishte sekretari i Këshillit që nuk tregoj as minimumin e respektit ndaj meje si imam dhe anëtarë i zgjedhur në këtë këshillë nga shumica e imamëve dhe xhematit. Pas eliminimit juridik nga e drejta elementare e përfaqësimit tim në këtë këshillë si anëtarë i zgjedhur ai dëshiron edhe eliminimin fizik timin nga këshilli i BIK si dhe nga pozita e imamit duke nxitur urrejtje për hakmarrje dhe duke përgaditur gracka në të cilën ra sekretari i BIK-ut. Apeloj publikisht Naim Tërnavës dhe ia bëj me dije që të heq dorë nga nxitja e njerëzve kundër meje sepse nuk ka as mundësinë më të vogël që të hedhë gurin e ta fsheh dorën e as të mbuloj krimet dhe dështimet e veta mbi kurrizin tim. Në një prononcim tjetër do ju ofroj faktet dhe të vërtetën në detaje në lidhje me incidentin në fjalë”, ka shkruar Osmani në facebook.

Hoxha nga Drenasi, mulla Osman Musliu, është arrestuar dje pas një përleshje që ka ndodhur në një lokal të Drenasit mes hoxhës dhe një personit tjetër.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se dy persona janë arrestuar dje rreth orës 14:30 në Drenas.

Gazeta Express merr vesh se një nga të arrestuarit është hoxha Osman Musliu.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, për t’u liruar më pas me procedurë të rregullt.

“Me datë 24.11.2020 rreth orës 14:30 policia ka marrë informatën për një përleshje të ndodhur brenda një objekti në rrugën “Ilaz Kodra” – në Drenas. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para ka ngritur versionin e hetimit se një fjalosje në mes të dy të dyshuarve njëri 48 dhe tjetri 58 vjeç, ka përfunduar ne përleshje fizike mes tyre. Pasi që policia ka kryer veprimet fillestare hetimore përfshire këtu edhe pjesën e intervistimit, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dy të dyshuarve u ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, për tu proceduar më pas në përputhje me udhëzimet vijuese të prokurorisë”, ka thënë Flora Ahmeti.

(Kosova Sot Online)