Vërejtjet e Lajçakut për ndalimin e Vuçiqit, Qeveria përgjigjet se si do të veprohet

  • A.P /
  • 26 nëntor 2020 - 16:01
Vërejtjet e Lajçakut për ndalimin e Vuçiqit, Qeveria përgjigjet se si do të veprohet

Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë vërejtje nga i deleguari special i BE-së për Dialogun me Serbinë Miroslav Lajçak, për moslejimin e vizitës në Kosovë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

I deleguari i BE-së iu drejtua me një letër kreut të Qeverisë, përmes së cilës ka kërkuar respektimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut deri më tani.

Në një përgjigje me shkrim, Zyra e Kryeministrit thotë se ditët në vijim Hoti do t’ia kthejë letrën Lajçakut më anë të së cilës do të adresohen të gjitha shqetësimet e ngritura nga BE-ja.

“Kryeministri Hoti ka pranuar një letër nga z. Lajçak, ajo që është bërë publike tashmë në disa media. Gjatë ditëve në vazhdim Kryeministri Hoti do t’i kthej një përgjigje z. Lajçak, ku do t’i adresoj të gjitha shqetësimet e ngritura nga ndërmjetësi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë- Serbi”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Tutje në përgjigjen e tyre thuhet se Qeveria respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel lidhur me lëvizjen e lirë dhe vizitat e zyrtarëve serbë.

“Kryeministri Hoti e ka theksuar disa herë deri më sot gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare pavarësisht rrethanave dhe zhvillimeve politike në vend. Qeveria respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel lidhur me lëvizjen e lirë dhe vizitat e zyrtarëve të lartë serbë, në të cilën thuhet qartë se secila kërkesë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”, përfundon ZKM.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme në një paraqitje për media kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka pranuar letrën e emisarit të BE-së për dialogun, Mirosolav Lajcak dhe do të respëktojë marrëveshjet për lëvizjen e lirë, e se në proces të dialogut do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura.

Ndërsa, sa i përket qëndrimit të ministers së Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj, se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë përderisa nuk kërkon falje për krimet, Hoti ka thënë se qëndrime të tilla zyrtare i jep vetëm kryeministri.

“Qëndrimet zyrtare të Qeverisë i përfaqësoj unë, sigurohem që të koordinohen çështjet me ministrat përkatës, mund të kenë ndonjëherë qëndrime të caktuara por në fund koordinohet”, ka thënë Hoti ndër të tjera.


(Kosova Sot Online)