Haradinaj tregon se kur Vuçiq mund të hyjë në Kosovë

  • A.P /
  • 26 November 2020 - 20:22
Haradinaj tregon se kur Vuçiq mund të hyjë në Kosovë

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj e ka përkrahur veprimin e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla për ndalimin e vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Haradinaj tha se pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.

“Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate. Ne nuk presim të ndiejnë dhembshuri krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviqit, ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin, por presim pranim e kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Ditë më parë, Vuçiqit dhe disa zyrtarëve të tjerë të Serbisë nuk ju dha leja për të hyrë në Kosovë.


(Kosova Sot Online)