Njohësit e drejtësisë thonë se Kosova duhet të interesohet për informatat që do t’i ndajë Simmons

  • A.P /
  • 28 November 2020 - 23:35
Njohësit e drejtësisë thonë se Kosova duhet të interesohet për informatat që do t’i ndajë Simmons

Njohësit e drejtësisë thonë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të interesuara për informatat që do të ndajë Simmons.

U emërua si kryetar i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it në vitin 2014.

E gjatë mandatit të tij, Malcolm Simmons po pretendon që ka parë shumë parregullsi në rastet që trajtoi ky mision.

Kësisoj, pas gjashtë vitesh, Simmons po shprehet i gatshëm t’ju drejtohet anëtarëve të Komisionit për Legjislacion në Kosovë.

Ish-gjyqtari në letrën e tij dërguar këtij komisioni, ka thënë se mund të dëshmojë për ndërhyrje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve të mbrojtur e manipulim të trupit gjykues.

Simmons thotë se është i gatshëm të deklarohet para Parlamentit të Kosovës për të gjitha çështjet që flet në letër, duke thënë se ka edhe prova.

E këtë gatishmëri të tij po e vlerësojnë njohësit e drejtësisë.

Sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të dhënat që ai ofron mund të sqarojnë shumë procese që kanë ngecur në Kosovë.

Sipas Miftarajt, kërkesa e Simmons është legjitime.

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ishte shprehur i gatshëm që të vijë në Kosovë për të dëshmuar parregullsi të mëdha të misionit, në veçanti në rastin “Drenica 2” edhe vite më parë.


(Kosova Sot Online)