Dy persona dyshohet se fotografuan votën në Podujevë

  • A.P /
  • 29 November 2020 - 15:11
Dy persona dyshohet se fotografuan votën në Podujevë

Drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka njoftuar se janë angazhuar 400 zyrtarë policorë për të mbikëqyrë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar dy thirrje për dy raste që lidhen me dyshime për fotografim të votës.

“Marrë parasysh numrin e qendrave të votimit, policia ka angazhuar rreth 400 zyrtarë policorë me detyra specifike në këtë proces, duke mos llogaritur këtu edhe numrin e zyrtarëve të tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në atë territor. Deri më tani kemi pranuar dy  thirrje nga kryesuesja e qendrës së votimit në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë, për dy raste  që ndërlidhen me  dyshime për fotografimin e votës”, bëhet e ditur në njoftim.

Personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet për fotografim të votës janë shoqëruar në stacion policorë.

“Në të dyja rastet policia ka shoqëruar në stacionin policor personat ndaj të cilëve janë ngritur dyshimet e pretenduara me qëllim të ndriçimit të rrethanave. Ndërkaq nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër i cili ka kërkuar trajtim nga ana e policisë”, thuhet në reagimin e Policisë.

(Kosova Sot Online)