Qeverisja Haradinaj: Më shumë shpenzoi ish-ministri Matoshi sesa ish-kryeministri

  • A.P /
  • 01 December 2020 - 18:57
Qeverisja Haradinaj: Më shumë shpenzoi ish-ministri Matoshi sesa ish-kryeministri

Instituti GAP ka kryer një studim mbi praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare, ku është realizuar një anketë me 596 shërbyes civilë, nga i cili del se mbi dy të tretat e shërbyesve civilë nuk pajtohen se tarifat aktuale për mëditje janë në lartësinë e duhur dhe rreth 56% e tyre mendojnë se shuma e ndarë për mëditje të plotë nuk i mbulon shpenzimet e udhëtimit.

Duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, GAP-i ka kërkuar të dhënat e shpenzimeve për mëditje të stafit politik për vitin 2019 nga Zyra e Kryeministrit dhe të gjitha ministritë.

“Kërkesës sonë për mëditje i janë përgjigjur gjithsej 17 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, prej të cilave Ministria e Mbrojtjes, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë ofruar të dhëna për kabinete të minstrive pa i personalizuar shpenzimet e zyrtarëve për muaj. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Diasporës nuk kanë ofruar qasje në të dhëna, duke rënë kështu në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike”, thotë Instituti GAP, raporton Zeri.info.

Nga të dhënat e këtyre 17 ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit, del se gjatë vitit 2019 janë shpenzuar rreth 204,541 euro për mëditje.

Lidhur me këto shpenzime, Zyra e Kryeministrit me mbi 70 mijë euro renditet e para, pastaj radhitet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me mbi 37 mijë euro të shpenzuara për mëditje.

Ndërkaq, në lidhje me shpenzimet e kryeministrit dhe ministrave/eve 2019, del se Fatmir Matoshi, si ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prin sa i përket mëditjeve të marra me 5,446 euro.

Ndërsa, Ekrem Mustafa, ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, radhitet i dyti me 3,922 euro shpenzime.

Interesant është se kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, është i katërti në listë, me 3,266 euro të shpenzuara.

(Kosova Sot Online)