Rrahmani: Etem Arifi është peshk i vogël

  • A.P /
  • 02 December 2020 - 17:35
Rrahmani: Etem Arifi është peshk i vogël

Qazim Rrahmani, sekretar i partisë së Etem Arifit ka thënë që Arifi i është dorëzuar organeve të sigurisë në momentin kur Kushtetuesja mori vendim ndaj kërkesës së tij.

“Z.Arifi është vetdorëzuar dhe nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai është dorëzuar në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim. Në momentin që Kushtetuesja ka vendosur kundër kërkesës së tij ai është dorëzuar”, ka thënë Rrahmani.

Sipas tij ai asnjëherë nuk është larguar nga Kosova.

“Jo ai ka qenë në Kosovë gjithmonë dhe nuk ka asnjë informacion që ai është larguar nga Kosova dhe se ka shkuar në Maqedoni”, ka thënë ndër të tjera ai.

Arrestimin e deputetit Etem Arifi, Rrahmani e ka cilësuar të padrejtë.

“Për ne është e padrejtë. Nëse ka pasur argumente ne e respektojmë drejtësinë por ne fatkeqësisht jemi viktimizuar. Nëse është Kosova për tu avancuar përpara duke arrestuar e dënuar njerëz të komuniteteve atëherë ne sakrifikohemi por jo të arrestohen peshqit e vegjël”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, pasi ai është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.

Të akuzuarit janë obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro.

Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro.

Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë. 

(Kosova Sot Online)