A nisin ndonjëherë investimet e marrëveshjes së Trumpit në Kosovë?

  • A.P /
  • 03 December 2020 - 17:28
A nisin ndonjëherë investimet e marrëveshjes së Trumpit në Kosovë?

Krerë institucional të vendit nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar se kur do fillojnë investimet amerikane në Kosovë, në kuadër të marrëveshjes së normalizimit ekonomik Kosovë-Serbi, të arritur më 4 shtator në Uashington.

Ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë detaj, Zyra e Kryeministrit, kanë konfirmuar se po vazhdojnë takimet ndërmjet kryeministrit Hoti dhe Koorporatës Financiare të SHBA’së për Zhvillim Ndërkombëtar.

“Mund të ju konfirmoj se komunikimi i Zyrës së Kryeministrit me DFC – në (Koorporata Financiare e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar) është i rregullt.  Në këto komunikime dhe takime që për shkak të pandemisë po zhvillohen kryesisht online janë diskutuar kryesisht mundësitë e financimit për NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme), lehtësirat pas pandemisë Covid-19, energjia e ripërtëritshme dhe investimet në shpërndarjen e gazit”, nga Zyra e Kryeministrit në një përgjigje përmes postës elektronike.

Pika e tretë e marrëveshjes së Uashingtonit, parasheh që investimet amerikane të fokusohen edhe në lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit, si dhe Autostradën e Paqes (Nish-Merdar).

“Kosova dhe Serbia do të punojnë me SHBA-të me Koorporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar dhe EXIM në memorandume të mirëkuptimit për të operacionalizohen në: Autostradën e Paqes, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares, Lidhjen hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit, Sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Projekte bilaterale, Një prani ndërkombëtare, e Koorporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar me kohë të plotë në Serbi”, thuhet në pikën e tretë të marrëveshjes.

Pavarësisht se Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me këto takime, një muaj më parë, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka paralajmëruar se ai bashkë me një delegacion kanë për ta vizituar SHBA’në në fund të këtij viti.

“Brenda vitit do jemi dy herë në Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar rreth projektet dhe instrumentet, më pas me një delegacion në fund të këtij viti”, deklaronte Rukiqi.

Megjithatë, Rukiqi e shihte me skepticizëm përshpejtimin e këtyre investimeve, duke thënë se qeveria është fragjile dhe se nuk mund t’i arrijë 2/3-ën e votave në Kuvend, kur kërkohet miratimi i marrëveshjeve të arrira me Koorporatën Financiare të SHBA’së për Zhvillim Ndërkombëtar.

Përkundër kreut të OEK’së, analisti politik, Fitim Salihu, nuk e sheh si problem votimin e marrëveshjeve që do arrihen mes palës kosovare dhe asaj amerikane.

“Edhe kësaj radhe, nuk kam dyshim që kjo mund të arrihet. Besoj që edhe dy partitë opozitare, Vetëvendosja dhe Partia Demokratike, do të votojnë pro. Për më tepër, nga këto dy parti opozitare nuk kemi parë ndonjë kundërshtim të prerë ‘per se’ rreth marrëveshjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara. Kundërshtimi i tyre ka qenë kryesisht tek temat politike, kështu që nuk pres probleme në votimin në Kuvend”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka folur për rëndësinë e investimeve amerikane në Kosovë.

“Kosova ka nevojë për investim në energji të ripërtëritshme, në shpërndarje të gazit e ndërmarrje të mesme dhe të vogla. Implementimi i këtyre projekteve do jetë garancë e stabilitetit social. Gjithashtu, falë tyre, do sigurohet edhe gjenerim ekonomik. Aty ku do gjenden brendet amerikane, do ketë edhe investitor evropian”, ka potencuar Gërxhaliu.

Njohësi i ekonomisë, tutje, ka thënë edhe se Administrata Biden do të ndihmojë në implementimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)