Suedia ka vendosur që nga e hëna t’i mbyllë shkollat e mesme për një muaj

  • E.K /
  • 04 December 2020 - 10:33
Suedia ka vendosur që nga e hëna t’i mbyllë shkollat e mesme për një muaj

Suedia ka vendosur që nga e hëna t’i mbyllë shkollat e mesme për një muaj pasi në dy ditët e fundit regjistroi 209 të vdekur nga koronavirusi.

Shteti skandinav që në fazën e parë të pandemisë u bë i njohur për qasjen pa izolim në pandemi tani po përballet me rritje të numrit të infeksioneve, përtej parashikimit zyrtar.

Agjencia e Shëndetit Publik ka thënë se pret që kulmi i valës së dytë të arrihet në mesin e dhjetorit, ndërsa të enjten shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në mbi 7 mijë.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, gjatë një konference për gazetarë tha se mbyllja e shkollave të mesme do të ndihmojë për ngadalësimin e përhapjes së virusit, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

“Do të duhet të ndërrohet mënyra se si edukohemi. E kuptoj plotësisht se kjo nuk është e lehtë, por në situatën e tanishme, është e nevojshme”, tha ai.

Lofven gjithashtu u bëri thirrje nxënësve që të mos kenë kontakte me nxënësit tjerë gjatë qëndrimit larg shkollës. “Unë besoj që ju jeni të zgjuar dhe e kuptoni se ky nuk është një pushim i zgjatur i Krishtlindjes. Nuk është dritë e gjelbër për ndeja me miq”, shtoi ai.

Pas një rënieje të rasteve fatale në verë, Suedia në javët e fundit i ka regjistruar nivelet më të larta të vdekjeve, me një mesatare prej 60 të vdekurve në ditë këtë javë.

Sidoqoftë, kjo shifër është më e vogël se niveli i prillit, kur mesatarja ditore e viktimave të koronavirusit ishte 100.

(Kosova Sot Online)