Hoti thotë se të akuzuarit nga Specialja u sollën me maturi

  • A.P /
  • 04 December 2020 - 20:06
Hoti thotë se të akuzuarit nga Specialja u sollën me maturi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar pranimin e dorëzimin para Gjykatës Speciale të të akuzuarve nga gjykata respektive për krime lufte.

Hoti, ka konsideruar se dorëheqja e ish-presidentit Thaçi nga pozita reflekton pjekuri politike.

“Unë besoj se mënyra se si janë sjellë këta persona (Thaçi, Veseli e Selimi), tregon për shkallën e maturitetit në Kosovë. Imagjoni, ni vend i ri, që ka vetëm 12 vite si shtet i pavarur, ku akuzohet presidenti i vendit i cili jep dorëheqje, një kryetar të kuvendit, si dhe persona të tjerë të përfshirë në luftën e UÇK’së, e ndërkohë nuk ka asnjë problem social e politik. Kjo tregon maturitetin që ka kjo shoqëri për t’u përballur me sfidat përpara”, ka deklaruar ai.

Ish-presidenti Thaçi, pak para shkuarjes në Hagë, përmes një konference kishte konfirmuar aktakuzën e tij, njëherësh edhe heqjen dorë nga pozita e presidentit.

Njëjtë kishte vepruar edhe ish-kreu i PDK’së, Kadri Veseli, duke hequr dorë nga posti i deputetit.

Ndërkaq, Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ende nuk ka hequr dorë nga kjo pozitë. Rregullorja e Kuvendit e parasheh që një deputeti mund t’i largohet mandati pasi të mos paraqitet për gjashtë muaj në Kuvend. 

(Kosova Sot Online)