Kina i gëzohet largimit të Gjermanisë nga Këshilli i Sigurimit: Mirë që po shkoni

  • G.G /
  • 23 December 2020 - 10:16
Kina i gëzohet largimit të Gjermanisë nga Këshilli i Sigurimit: Mirë që po shkoni

Duket se Kina i është gëzuar largimit të Gjermanisë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe këtë s’ka mund ta fshehë as një zyrtar i lartë i shtetit komunist.

I dërguari i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, gjatë takimit të tij të fundit në Këshillin e Sigurimit, i bëri thirrje Kinës që t’i lirojë për Krishtlindje dy kanadezë që i ka arrestuar. Përgjigjja e përfaqësuesit kinez nuk ishte aspak miqësore.

“Nga thellësia e zemrës sime: Çlirim i mirë”, ia ktheu zëvendësi i të dërguarit kinez në Kombet e Bashkuara, Geng Shuang.

Gjermanisë i përfundon mandati dyvjeçar në këshillin me 15 vende anëtare në fund të këtij muaji dhe ambasadori i këtij shteti, Christoph Heusgen, po planifikon që të pensionohet pas një karriere 40-vjeçare si diplomat, shkruan Reuters.

“Më lejoni që ta përfundoj mandatin tim në Këshillin e Sigurimit duke u bërë apel kolegëve të mi kinezë që t’ia kërkojnë Pekinit lirimin e Michael Kovrigut dhe Micahel Spavorit. Krishtlindjet janë momenti i duhur për një gjest të tillë”, tha diplomati gjerman në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, në të cilën në agjendën zyrtare ishte diskutimi për Iranin.

Zëvendësambasadori kinez, Geng Shuang, e akuzoi ambasadorin gjerman për abuzim të Këshillit të Sigurimit për të hedhur sulme ndaj anëtarëve të tjerë me qëllim të “helmimit” të atmosferës së punës.

“Po shpresoj që këshilli, me mungesën tuaj në vitin 2021, do të jetë në pozitë më të mirë për t’i përmbushur përgjegjësitë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, i tha zyrtari kinez ambasadorit gjerman.

(Kosova Sot Online)