“Mos e merrni këtë gjellë, nuk e bëjmë të mirë”, zbuloni restorantin më të “ndershëm” në botë

  • G.G /
  • 19 January 2021 - 12:36
“Mos e merrni këtë gjellë, nuk e bëjmë të mirë”, zbuloni restorantin më të “ndershëm” në botë

Jemi mësuar me pronarë restorantesh që na lavdërojnë pjatat e tyre sikur të ishin kryevepra unikale, me përbërës të përzgjedhur si asnjë tjetër dhe  me një teknikë të “përkryer”, që vetëm aty mund të shijosh.

Fatkeqësisht, jo gjithmonë premtimet mbahen, dhe shpeshherë eksperienca e një dreke ose darke të shumëpritur mund të përfundojë me një shije të hidhur, në plot kuptimin e tij.

Por kjo nuk mund të ndodhë në një restorant të vogël të Montreal, në Kanada, që kohët e fundit po merr famë ndërkombëtare në rrjetet sociale falë “ndershmërisë” së tij.

Bëhet fjalë për restorantin kinez, Aunt Dai, pronari i të cilit, Feigang Fei, u shndërrua në heroin e çdo klienti të pavendosur pas shpërndarjes në Twitter të përshkrimeve të pjatave që përbejnë menunë e tij, që përfshin kuzhinë tradicionale kineze, por edhe variantin kinez të adaptuar për shijen amerikane.

“Duke parë pritshmëritë e mia, nuk e këshilloj së tepërmi këtë pjatë”, shkrua Fei në përshkrimin e derrit të ëmbël dhe pikant. “Nuk jemi të kënaqur 100% për salcën e kësaj pulë, nuk po del aq e mirë, por do të përmirësohemi”, është një koment tjetër për një gatim tjetër.

Të shumta janë edhe sinjalizimet ku thuhet se pjata e caktuar nuk është pjatë tradicionale kineze, dhe se do të ishte mirë të provonin diçka më autentike.

Çuditërisht, siç thotë, Fei, gjykimet negative nuk kanë ndikuar shumë te klientët, që vijojnë t’i marrin, të shtyrë ndoshta nga kurioziteti.

Feigang Fei, pronari i “ndershëm”

Menuja e tij e ndershme po e bën atë të njohur, me më shumë se 75 mijë shpërndarje në rrjetet sociale, dhe prenotime që vijnë edhe nga jashtë vendit.

“Në fillim, veçanërisht për kuzhinën tradicionale që është më pak e njohur, klientët ishin të habitur nga fakti që pjatat ishin më pikante sesa e prisnin, apo kishin kocka dhe të tilla, saqë shpeshherë nuk e preknin pjatën, dhe kjo shndërrohej në një harxhim të panevojshëm”, thotë Fei, që në përshkrimin e tij vendos çdo përbërës dhe në versionin online, edhe një video të shkurtër që tregon pamjen reale, para se të porositet.   

(Kosova Sot Online)