Ramush Haradinaj i kundërpërgjigjet Aleksander Vuçiqit: Mos ke frikë, mos u bëj nervoz

  • E.K /
  • 19 January 2021 - 14:28
Ramush Haradinaj i kundërpërgjigjet Aleksander Vuçiqit: Mos ke frikë, mos u bëj nervoz

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilësoi ish-kryeministrin e Kosovës si njeri të rrezikshëm, pasi Haradinaj paralajmëroi mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Serbinë.

Haradinaj konsideron se “për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë”. Ai i tha Vuçiqit të mos bëhet nervoz sepse “Kosova po e kërkon vetëm atë që i takon”.

Ai shtoi se nëse Serbia dëshiron ta shmangë bashkimin kombëtar të Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, atëherë duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Ai tutje sqaroi deklaratën e tij për bashkimin kombëtar, që tha se vjen si rezultat i neglizhencës së Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, shkroi Haradinaj.

“Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte një kërcënim për të gjithë”, tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vuçiq tha se për deklaratën e Haradinajt mbi mundësinë e një referendumi për bashkimin të Kosovës me Shqipërinë, Serbia do ta ketë “një përgjigje adekuate”, ndërsa shtoi se “kërcënimet nuk duhet të kthehen me kërcënime”.

(Kosova Sot Online)