Shtëpisë së Bardhë i kthehet dashuria, nga zonja e parë që refuzonte t’ia mbante dorën presidentit te tjetra që s’ia lëshon kurrë

  • A.P /
  • 21 January 2021 - 16:14
Shtëpisë së Bardhë i kthehet dashuria, nga zonja e parë që refuzonte t’ia mbante dorën presidentit te tjetra që s’ia lëshon kurrë

Joe Biden dje ka bërë betimin si Presidenti i 46’të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në prani të bashkëshortes së tij, Jilly, vajzës Ashley, djalit Hunter dhe mbesave të tyre.

Në ceremoninë e inaugurimit në të cilën refuzoi të ishte i pranishëm presidenti i deritanishëm, Donald Trump, morën pjesë ish-presidentët: Bill Clinton, George W. Bush si dhe Barack Obama.

Gjatë gjithë ceremonisë vëmendjen mori afërsia e Biden me bashkëshorten Jilly, të cilët rrallë ia lëshuan dorën njëri-tjetrit, afërsi e cila nuk është parë më herët te çifti presidencial Trump.

Momenti i betimit të Biden si Presidenti i 46’të i ShBA’së

Dashurinë që kanë për njëri-tjetrin, Biden dhe Jilly e shprehën edhe në rrjete sociale.

Fotografi e realizuar gjatë fushatës

Ishte Biden, ai i cili i bëri një dedikim Jillyt pak minuta para inuagurimit si president, duke i bashkangjitur edhe një video ku shihen dyshja duke mbajtur dorën e njëri-tjetrit.

“Të dua Jilly, dhe s’do të mund të isha më shumë mirënjohës sesa që të kam ty përkrah meje në këtë rrugëtim”, shkroi Biden.

Këtë postim të presidentit, e shpërndau edhe Zonja e Parë e SHBA’së në InstaStory.

Gjeste të tilla romantike i kishin munguar Shtëpisë së Bardhë në katër vjetët e fundit.

Donald dhe Melania Trump nuk njiheshin për afërsinë me njëri-tjetrin.

Madje, ekzistojnë dhjetëra video të momenteve kur ish Zonja e Parë, Melania ka refuzuar që t’ia mbajë dorën Trumpit.

Donald dhe Melania gjatë ceremonisë së inaugurimit

Rasti i fundit ishte në skenën e debatit të fundit presidencial.

Në fund të diskutimit 90 minutësh, të dyja, gruaja e Trump dhe ajo e Joe Bidenit, shkuan drejt skenës për të përgëzuar bashkëshortët e tyre.

Ajo eci për të përshëndetur burrin e saj, përshëndeti shkurtimisht turmën dhe më pas nisi të largohej nga skena.

Trump e kapi për dore, por ajo e tërhoqi me shpejtësi mbrapa dhe doli nga skena.

Gjatë mandatit të Trump, shpeshherë ishin shpërndarë edhe lajme se çifti është drejt divorcit. Për këto raportime, asnjëherë s’janë deklaruar asnjëri.

Ata e kanë lënë dje Shtëpinë e Bardhë, pas katër vitesh qëndrimi në të, derisa kanë refuzuar që të marrin pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.

Momenti kur Donald dhe Melania largohen nga Shtëpia e Bardhë

Ndryshe, Jill është martuar me Joe Biden në vitin 1977, duke u bërë njerka e dy djemve të Bidenit nga martesa e parë.

Ata kanë edhe një vajzë së bashku, të quajtur Ashley, e cila ka lindur në vitin 1981.

Çifti ishte takuar në vitin 1975 teksa dy vite më vonë edhe e kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.


(Kosova Sot Online)