Shteti me më së shumti myslimanë në botë heq detyrimin për veshje fetare në shkolla

  • G.G /
  • 05 February 2021 - 09:36
Shteti me më së shumti myslimanë në botë heq detyrimin për veshje fetare në shkolla

Indonezia, shteti që ka numrin më të madh të myslimanëve në botë, ua ka ndaluar shkollave publike që ta bëjnë të detyrueshme veshjen fetare për nxënësit pas përhapjes së një rrëfimi për një nxënëse të krishterë, të cilës i ishte bërë trysni që ta vendoste mbulesën e kokës në klasë.

Vajza ishte duke e ndjekur mësimin në një shkollë ku ekzistonte rregulla për vendosjen e shamisë në kokë sipas rregullave të Islamit.

Qeveria u ka thënë shkollave 30 ditë afat që t’i shfuqizojnë rregullat e këtilla, shkruan BBC.

Indonezia është shtet me shumicë myslimane, por i njeh zyrtarisht edhe religjionet tjera. Megjithatë, kohëve të fundit atje janë shtuar shqetësimet për përhapjen e mungesës së tolerancës fetare.

Dekreti për ndalimin e detyrimit për veshje fetare u nënshkrua të mërkurën, ndërsa shkollat që nuk e zbatojnë atë mund të gjobiten.

Ministri i Arsimit dhe Kulturës, Nadiem Makarim tha: “Zgjedhja për të veshur rroba fetare është e drejtë individuale, jo vendim i shkollave.”

Drejtori i shkollës ku ndodhi rasti me vajzën e krishterë më vonë kërkoi falje dhe tha se asaj do t’i lejohet veshja sipas besimeve të saj fetare.

(Kosova Sot Online)