Djaloshi ha 54 magnete të vogla për të parë nëse do të bëhet magnetik

  • E.K /
  • 09 February 2021 - 10:26
Djaloshi ha 54 magnete të vogla për të parë nëse do të bëhet magnetik

Një djalë 12 vjeç nga Mançesteri i Anglisë i është nënshtruar një operacioni që ia ka shpëtuar jetën pasi hëngri 54 magnete lodra si pjesë e një “eksperimenti” që deshi ta bënte me organizmin e vet.

Rhiley Morrison i hëngri magnetet në dy raste për të parë nëse ato do të ndikonin që objektet e metalta do t’i rrinin ngjitur në bark dhe pasi ishte kureshtar të shihte se si do të dukeshin ato kur t’i nxirrte jashtë, shkruan Daily Mail.

Por kur topat e vegjël nuk i pa jashtë organizmit as katër ditë pasi i kishte gëlltitur, djali i tha nënës së vet se ka gëlltitur dy magnete aksidentalisht.

Ajo e dërgoi shpejt në spital, ku mjekët i bënë fotografim me rreze x dhe u habitën kur panë 54 copa magneti në lukthin dhe zorrët e djaloshit.

Morrison tashmë po e merr veten në shtëpi dhe nëna e tij shpreson se qëndrimi për 16 ditë në spital i djalit të saj do t’i vetëdijesojë prindërit për rrezikun e mundshëm të magneteve lodra dhe bëri thirrje që këto objekte të gjuhen në mbeturina para se t’u ndodhë diçka si djalit të saj.

Ai u lirua nga spitali më 21 janar dhe për një javë u trajtua me antibiotikë për ta luftuar infeksionin e shkaktuar nga “mysafirët” e pazakontë në trupin e tij.

(Kosova Sot Online)