Osmani për votat e komunitetit serb në Kosovë: Kemi ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të shtetit serb

  • A.P /
  • 25 February 2021 - 22:29
Osmani për votat e komunitetit serb në Kosovë: Kemi ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të shtetit serb

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se ajo çfarë ka ndodhur me votat e komunitetit serb në Kosovë, të cilat kanë shkuar për një parti të caktuar boshnjake, është një ndërhyrje nga shteti i Serbisë në procesin zgjedhor.

“Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, tha Osmani në emisioni “Kallxo Pernime”.

Lidhur me këtë, Osman thotë se i ka njoftuar edhe ndërkombëtarët.

“Unë e kam shprehur këtë shqetësim në kontaktet e mia me Uashingtonin, Berlinin e Brukselin, por edhe me kryeqytetet tjera, sepse kjo shkon përtej zhvillimeve tona të brendshme dhe tregon për një qasje destabilizuese të Serbisë në rajonin tonë”, tha ajo.

Ndërsa thotë se ndërkombëtarët ende nuk kanë reaguar për shkak të moscertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ’ja.

“Sa jam informuar unë, komunitetet do të paraqesin ankesa sepse u është shkelur e drejta e tyre. Kjo duhet të ndodhë kur të certifikohen rezultatet. I kam njoftuar miqtë tanë ndërkombëtarë për votat e komunitetit serb që shkuan për partitë boshnjake, unë besoj se ata do të reagojnë pasi të certifikohen rezultatet”, deklaroi ajo.

(Kosova Sot Online)