Bulliqi: Anulimi i projektit të spitalit është hakmarrje për qytetarët e Podujevës

  • A.P /
  • 26 shkurt 2021 - 19:29
Bulliqi: Anulimi i projektit të spitalit është hakmarrje për qytetarët e Podujevës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar sot shkresë zyrtare ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, rreth anulimit të projektit për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.

Bulliqi thotë se Qeveria në detyrë i ka anuluar të gjitha procedurat për ndërtimin e Spitalit, për të cilin thotë se është veçse hakmarrje ndaj qytetarëve të Podujevës.

“Ministri Zemaj muaj më parë në kohë të fushatës elektorale së bashku me ekzekutivin e asaj kohe, në konferencë për media patën prezantuar edhe projektin për Spitalin e Podujevës, por tani Qeveria në detyrë ka anuluar të gjitha procedurat për Spitalin i cili është jashtëzakonisht i nevojshëm për qytetarët e Komunës sonë. Kjo nuk mund të jetë tjetër veçse hakmarrje ndaj qytetarëve të Podujevës për vullnetin e shprehur në mënyrë të lirë e demokratike – me votë, në zgjedhjet komunale të 29 nëntorit”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Ministri Zemaj në kohë fushate kishte premtuar finalizimin e projektit të këtij spitali.

“Spitali do të ketë sipërfaqe rreth 7,700 m2 dhe do të ofrojë shërbimet si diagnostika (laboratorët me radiologji), ambulancat specialistike, shërbimi emergjent, mjekësia interne, kirurgji dhe ortopedi, gjinekologji dhe neonatologji dhe pediatri”, kishte shkruar Zemaj në Facebook.


(Kosova Sot Online)