Të flesh me arinjtë polarë, hapet në Kinë hoteli i veçantë

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 15:12
 Të flesh me arinjtë polarë, hapet në Kinë hoteli i veçantë

Një hotel i ri, që e quan veten hoteli i parë i arinjve polarë, është hapur në Kinë, duke i premtuar klientëve pamje të kafshëve nga çdo dhomë hoteli.

“Nëse jeni duke ngrënë, biseduar apo thjesht duke fjetur, arinjtë polarë do t’ju bëjnë shoqëri gjithë kohën”, lexohet në postimet reklamuese të hotelit, një dhomë e të cilit kushton 230-300 euro në natë.

Por, hoteli që ndodhet në Heilongjiang është kritikuar ashpër nga mbrojtësit e të drejtave të kafshëve. Sipas tyre, arinjtë polarë janë detyruar të qëndrojnë nën dritat e forta që çlirojnë nxehtësi, në një ambient me shkëmbinj artificialë dhe në një dysheme të lyer me të bardhë, duke i larguar nga habitati i tyre natyral.

Gjithsesi, duket se drejtuesit e hotelit nuk janë të shqetësuar për këtë gjë, por janë të lumtur që të gjitha dhomat e hotelit janë të prenotuara deri në maj.

(Kosova Sot Online)