Mësuesi u tregon nxënësve karikatura të profetit Muhamed, bllokohet shkolla

  • E.K /
  • 25 March 2021 - 15:33
 Mësuesi u tregon nxënësve karikatura të profetit Muhamed, bllokohet shkolla

Policia britanike e ka bllokuar hyrjen e një shkolle në West Yorkshire të Anglisë, pasi dhjetëra prindër të zemëruar myslimanë protestuan kundër një mësuesi që pretendohet se ka shfaqur karikatura të Profetit Muhamed gjatë orës mësimore të lëndës së edukimit fetar.

Shkolla “Batley” u detyrua që ta shtynte hapjen dhe t’u kërkonte nxënësve që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të skenës kaotike në hyrje të saj. Drejtori i shkollës tha se kërkon falje sinqerisht për këtë fyerje të madhe ndaj komunitetit.

Prindërit e nxënësve u mblodhën në mëngjesin e së enjtes te hyrja e shkollës, ndërsa ata mbetën aty deri pasdite. Policia e mbylli rrugën në të dyja drejtimet, shkruan Daily Mail.

Predikuesi fetar mysliman, Amin Pandor, tha para prindërve se mësuesi është pezulluar nga puna. Kjo gjë u konfirmua më vonë shkolla, ndërsa policia filloi t’i kërcënonte protestuesit me gjoba kundër përhapjes së koronavirusit për shkak të tubimit.

Protesta e së enjtes në Angli erdhi rreth pesë muaj pasi mësuesit francez, Samuel Paty, i cili kishte shfaqur karikatura të Profetit Muhamed para nxënësve, iu hoq koka afër shkollës ku jepte mësim në Paris. Vrasja e tij u bë nga një ekstremist me prejardhje çeçene.

Vrasja e shokoi Francën dhe nxiti debat të ri rreth lirisë së shprehjes dhe integrimit të pakicës myslimane prej disa milionësh.

(Kosova Sot Online)