Anglia pezullon edhe dy mësues në shkollën që shfaqi karikaturë të Profetit Muhamed

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 15:36
 Anglia pezullon edhe dy mësues në shkollën që shfaqi karikaturë të Profetit Muhamed

Edhe dy mësues tjerë janë pezulluar nga puna pas shfaqjes së karikaturave të Profetit Muhamed para nxënësve në Shkollën Gramatikore “Batley”.

Ky vendim e çoi në tre numrin e mësuesve të pezulluar, të cilët po hetohen rreth incidentit. Pezullimi i mësuesve erdhi pasi një nxënës iu ankua prindërve, shkruan Daily Mail.

Dhjetëra protestues të zemëruar u mblodhën për dy ditë radhazi para hyrjes së kësaj shkolle javën e kaluar pasi një mësues paraqiti para nxënësve një vizatim si pjesë e një njësie mësimore për blasfeminë.

Mësuesi, burrë në të njëzetat, është fshehur në një vend të panjohur së bashku me partneren dhe katër fëmijët e tij pasi mori kërcënime me vdekje.

Drejtori i shkollës tha se mësimi për blasfeminë ka qenë pjesë e kurrikulës, por mësuesi nuk ka qenë i autorizuar që ta shfaqë karikaturën para nxënësve. Një nxënës mysliman u ndie i fyer nga njësia mësimore dhe më pas prindërit paraqitën ankesë.

Një burim brenda shkollës tha se dy mësuesit tjerë që po hetohen nuk kanë qenë në klasë në kohën e shfaqjes së vizatimit, por pretendohet se kanë qenë të vetëdijshëm se kolegu i tyre do ta shfaqte karikaturën para nxënësve.

Ky burim konfirmoi se vizatimi i shfaqur para nxënësve ishte marrë nga gazeta satirike franceze, “Charlie Hebdo”, ku paraqitet Profeti Muhamed me një bombë në kokë.

(Kosova Sot Online)