Pronari i restorantit goditet gabimisht nga sanksionet e ShBA-së

  • E.K /
  • 02 April 2021 - 12:00
 Pronari i restorantit goditet gabimisht nga sanksionet e ShBA-së

Një nga sanksionet e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, para se ai të largohej nga pushteti arriti në adresë të gabuar – në Verona të Italisë.

Gabimi ndodhi gjatë vendosjes së sanksioneve rreth naftës së papërpunuar të Venezuelës, e cila është në listën e zezë të autoriteteve amerikane.

Në një rast të identifikimit të gabuar të individit, pronari i një restoranti, Alessandro Bazzoni, e gjeti veten në listën e zezë të Thesarit të ShBA-së në janar, por më në fund u largua prej saj këtë javë.

Ekspertët ligjorë thonë se gabime të këtij lloji ndodhin jo rrallë dhe ato mund të jenë të kushtueshme, shkruan BBC.

Në vitin 2019, administrata e ish-presidentit Trump vendosi sanksione kundër kompanisë shtetërore të naftës, “Petrolleos de Venezuela”, si pjesë e strategjisë për ta detyruar presidentin Nicolas Maduro që të jepte dorëheqje.

Në ditën e fundit në pushtet në janar të këtij viti, administrata e kaluar amerikane i vendosi sanksione një Alessandro Bazzoni tjetër për akuzat se është i lidhur me një rrjet që po përpiqet t’i shmangë sanksionet ndaj sektorit venezuelas të naftës.

Thesari i Shteteve të Bashkuara gjithashtu u vendosi sanksione disa kompanive të lidhura me këtë person, duke bërë që “viktimë” të ishte restoranti i italianit.

Gabimin e ka pranuar edhe vetë Departamenti i Thesarit, i cili në uebfaqen e vet njoftoi zyrtarisht për largimin e këtij personi nga lista e sanksioneve.

(Kosova Sot Online)