Minxhozi: Disa marrëveshje Kosovë-Shqipëri s’u zbatuan

  • A.P /
  • 11 April 2021 - 08:16
Minxhozi: Disa marrëveshje Kosovë-Shqipëri s’u zbatuan

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se me të gjitha qeveritë kosovare kanë bashkëpunuar për të shtyrë me tej agjendën e përbashkët ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Mes tjerash, ai shtoi se shtetasit e dy vendeve komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme duke e bërë bashkëpunimin edhe më të frytshëm sa i përket shumë çështjeve të rëndësishme.

Sipas tij, sikurse me Qeverinë Hoti edhe me atë Kurti është diskutua për fushat e bashkëpunimit që janë prioritete për të dyja vendet.

“Ne në vazhdimësi me të gjitha qeveritë në Kosovë kemi bashkëpunuar për ta shtyrë më tej agjendën e përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Vitin e kaluar ka qenë një vit i veçantë por gjithë ekonominë botërore ashtu edhe për dy vendet ka pasur goditje siç është pandemia dhe tërmeti në Shqipëri. Por bashkëpunimi i ndërsjellë do të vazhdojë me ritme të duhura”, ka deklaruar Minxhozi per eo.

“Tani me një situatë më të relaksuar bashkëpunimi do të vazhdojë. Ashtu sikurse me qeverinë Hoti edhe me qeverinë Kurti kemi diskutuar për fushat e bashkëpunimit që janë prioritare”, shtoi Minxhozi.

Sipas tij, pjesa më e madhe e marrëveshjeve të arritura ndërvite janë zbatuar, ani pse një pjesë nuk kanë arritur pritshmërinë e duhura.

Ai tha se marrëveshja kryesore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e bazuar në ekonomi. Ndërsa, shtoi se pengesat kryesore ndërmjet dy vendeve janë mosdakordimi i disa elementeve ligjore.

“Pjesa më e madhe e marrëveshjeve janë zbatuar. Një pjesë nuk kanë arritur atë pritshmërinë e duhur. Në vitin 2019 Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer mes vetes rreth 310 milionë euro mallra nga 160 milionë. Është një hap kogja përpara”, ka thënë Minxhozi.

“Marrëveshjet kryesore janë ekonomi. Pengesat akoma janë te mosdakordimi i disa elementeve ligjore si në Kosovë dhe Shqipëri që të mos ketë ndryshime thelbësore. Ekziston qëllimi dhe përkushtimi në nivel qeveritar, por kur vjen puna te zbatimi ka pengesa nga të dyja vendet”, tha ai.

(Kosova Sot Online)