2 veprat kryesore që duhet t'i bëni në muajin e Ramazanit

  • G.G /
  • 12 April 2021 - 12:33
2 veprat kryesore që duhet t'i bëni në muajin e Ramazanit

Ez-Zuhriu, dijetari i madh në kohën e tabi’inëve, thoshte:“Ramazani është i karakterizuar nga leximi i Kuranit dhe bamirësia”.Këto dy vepra kanë qenë praktikë e pandashme e Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të, në Ramazan.

Ibën Abasi thoshte:“I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të, ka qenë njeriu më bujar, dhe bujarinë më të madhe e shfaqte në Ramazan, muaj në të cilintakohej me Xhibrilin. Ai takohej me të çdo natë të Ramazanit, duke e studiuar me të Kuranin. Në Ramazan, i Dërguari i Allahut ishte më i shpejtë në bujari sesa era kur fryn”.

Pra, përveç agjërimit, i cili është obligimi kryesor, Profeti, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të, shtonte dhe dy vepra të tjera për të fituar mirësinë e këtij muaji:

a- Leximin e Kuranit, sepse Ramazani është muaji i Kuranit.

Ky lexim mund të bëhet në namaz, gjatë teravive, ose edhe jashtë namazit.

b- Bujarinë.

Këtë ai e shfaqte duke ushqyer të uriturit dhe nevojtarët, si dhe duke u dhënë sadaka (ndihmë financiare) të varfërve.Ushqimi më i mirë që ofrohet gjatë muajit të Ramazanit është t’u shtrosh iftar agjëruesve.

Profeti, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të, ka thënë:
“Kush i shtron iftar një agjëruesi, do ta ketë shpërblimin njësoj si ai, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit”.

(Kosova Sot Online)