Ramazani i dytë në pandemi: 10 dezinfektime në ditë

  • A.P /
  • 14 April 2021 - 07:34
Ramazani i dytë në pandemi: 10 dezinfektime në ditë

Ditën e parë të Ramazanit të dytë në pandemi, besimtarët myslimanë e kanë gjetur sërish veten mes shumë kufizimeve të lidhura me pandeminë. Muaji i shenjtë i islamit vjen në një moment në të cilin në të gjithë botën, përfshirë vendet me shumicë myslimane, emergjenca është e plotë për një valë të re infektimesh. Dhe muaji i shenjtë do të thotë zakonisht edhe falje në grup, takime, tavolina më të zgjeruara në fund të agjërimit të ditës.

Disa vende po vendosin kufizime për ritet e lidhura me ramazanin. Nga njëra anë, besimtarët po tentojnë të kapin sa munden nga shpirti i muajit të shenjtë, dhe nga ana tjetër është edhe shqetësimi i madh për infektimet.

Rregullat e Islamit, që prekin më shumë se një miliardë e gjysmë myslimanë të botës, thonë që gjatë ramazanit, që zgjat deri më 12 maj, ekziston detyrimi i agjërimit të përditshëm që nis nga agimi deri në perëndim. Në 2020-ën, në fillim të ramazanit, vendet e shenjta, xhamitë, restorantet e dyqanet ishin të gjithë të mbyllur, ndërsa këtë vit masat janë më të çliruara dhe do të ofrojnë hapësirë për të respektuar të paktën një pjesë të riteve fetare.

Qyteti i shenjtë i islamit, Meka, do të dezinfektohet 10 herë në ditë, me plot 60 mijë litra xhel dhe do të mund të presë vetëm besimtarë të imunizuar. Atje do të priten vetëm ata që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës ose kush është shëruar nga virusi. Në Jeruzalem, vitin e kaluar, xhamia Al Aqsa, vendi i tretë i shenjtë i islamit, mbeti e zbrazët. Këtë vit, parashikohet që gjatë ramazanit besimtarët të mund të falen atje, por vetëm në ambjent të jashtëm dhe duke respektuar distancimin social.

Në Iran dhe Siri po ashtu xhamitë do të mbeten të hapura, ndonëse me orare të reduktuara dhe distancim social. Libani ndërkohë ka shtyrë me dy orë fillimin e ndalim qarkullimit gjatë natës. Ndërsa Dubai, ku përqindja e të vaksinuarve është shumë e lartë, nuk ka kufizime dhe njerëzit mund të dalin deri natën vonë.


(Kosova Sot Online)