Ministri Mehaj priti në takim ambasadorin Philip Kosnett, diskutuan për bashkëpunim në fushën e sigurisë

  • A.P /
  • 14 April 2021 - 14:56
Ministri Mehaj priti në takim ambasadorin Philip Kosnett, diskutuan për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Në vazhdën e takimeve të tij, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në fillim, ambasadori Kosnett e uroi ministrin Mehaj për detyrën duke i shprehur vullnetin  e tij për bashkëpunim në të ardhmen.

Nga ana e tij, ministri Mehaj shprehu falënderimin për vizitën duke theksuar mirënjohjen e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për vendin tonë si dhe në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ai, gjithashtu, theksoi se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Ministri Mehaj, në vazhdim e njoftoi ambasadorin Kosnett edhe me objektivat  kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.

Ai theksoi se FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe në shërbim të  paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Në vazhdim, ambasadori Kosnett, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Armatën e SHBA-ve, Gardën Kombëtare të Ajovës, dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.


(Kosova Sot Online)