Norvegjia i jep leje ushtrisë amerikane që të ndërtojë në tokën e saj

  • A.P /
  • 16 April 2021 - 16:01
Norvegjia i jep leje ushtrisë amerikane që të ndërtojë në tokën e saj

Norvegjia, shtet që ka një kufi të shkurtër me Rusinë, tha të premten se ka nënshkruar një marrëveshje të rishikuar me Shtetet e Bashkuara për rregullimin e aktivitetit të trupave amerikane në territorin e saj.

Marrëveshja mes dy aleatëve të NATO-s do t’u lejojë Shteteve të Bashkuara që të ndërtojnë objekte të ndryshme në tri fusha ajrore norvegjeze dhe në një bazë detare, por nuk do të ketë baza të ndara të ShBA-së, njoftoi qeveria e vendit skandinav.

Pajtueshmëria e ofruar nga qeveria e pakicës e kryeministres Erna Solberg nuk mjafton që marrëveshja të jetë e plotfuqishme, sepse ajo duhet të ratifikohet edhe në kuvendin e Norvegjisë, shkruan Reuters.

“Marrëveshja e rregullon dhe e lehtëson praninë e ShBA-së, trajnimin dhe ushtrimet e tyre në Norvegji, duke e lehtësuar në këtë mënyrë përforcimin e shpejtë amerikan të Norvegjisë në rast të krizës apo luftës”, tha qeveria norvegjeze.

Raportet mes Norvegjisë dhe Rusisë ishin përmirësuar gradualisht pas Luftës së Ftohtë, para se të ftoheshin përsëri, kur Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

Ky veprim i Moskës nxiti tensione në veri, me ç’rast të dyja shtetet grumbulluan trupa në të dy anët e kufirit dhe i shpeshtuan manovrat ushtarake. Sidoqoftë, Rusia dhe Norvegjia synojnë të kenë bashkëpunim për disa çështje lokale, si transporti dhe peshkataria.

(Kosova Sot Online)