Bota nën ethet e Luftës së Tretë? Aeroplanmbajtësja britanike futet në Detin e Zi dhe acaron rusët

  • A.P /
  • 19 prill 2021 - 18:57
Bota nën ethet e Luftës së Tretë? Aeroplanmbajtësja britanike futet në Detin e Zi dhe acaron rusët

Britania e Madhe ka njoftuar futjen në Detin e Zi të aeroplanmbajtëses “Queen Elizabeth” duke acaruar jo pak Rusinë, flota e së cilës ka rrethuar atë ukrainase në këtë rajon.

Më shumë se 20 anije ushtarake ruse gjenden aktualisht në Detin e Zi në kuadër të një stërvitjeje të madhe të njoftuar nga vendi, por Ukraina dhe Perëndimi e shohin këtë si një kërcënim të drejtpërdrejt të Putinit për luftë.

Aeroplanmbajtësja britanike pritet të kalojë gjatë muajit maj në detin e Zi, ndërsa fillimisht ata kanë njoftuar palën turke për kalimin në Dardanele dhe Bosfor, siç parashikojnë edhe konventat ndërkombëtare.

Për shkak të shkallëzimit të situatës në rajonet kufitare të Ukraninës Lindore, Rusia ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur qytetarët e saj. Në rast të ndezjes së luftimeve, Rusia nuk do të shohë duarkryq “një katastrofë njerëzore” të mundshme, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov sipas agjencisë së lajmeve, Interfax. Doktrina ushtarake e Rusisë e lejon intervenimin ushtarak në mbrojtje të qytetarëve rusë.

Banorëve rusishtfolës të rajoneve Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën Lindore, Moska i jep që nga viti 2019 mundësinë të marrin nënshtetësinë ruse, pavarësisht protestave ndërkombëtare. Më shumë se 400.000 qytetarë atje kanë ndërkohë një pasaportë ruse. Pjesë të rajoneve Donjeck dhe Luhansk përgjatë kufirit rus ndodhen që nga viti 2014 nën kontrollin e separatistëve besnikë të Moskës.

Ushtria ukrainase: Nuk ka plane për sulme

Ushtria në Ukrainë i hodhi poshtë akuzat, për përgatitje të mundshme të një sulmi kundër rajoneve separatiste proruse në lindje. Rimarrja e këtyre rajoneve “do të çonte pashmangshëm në vdekjen e një numri të madh të civilëve dhe humbje të jetëve të ushtarëve” dhe është për këtë e papranueshme, deklaroi kreu i ushtrisë, Ruslan Chomtschak në Kiev.

Në një intervistë në fund të marsit, ai ishte shprehur, se presidenti Volodymyr Zelenskyj nuk ka problem që të japë urdhrin për një ofensivë. Tani nga Kievi bëhet e ditur, se ende Ukraina i jep prioritet zgjidhjes diplomatike të konfliktit.

Edhe SHBA dërgon dy anije luftarake në Detin e Zi

SHBA do të dërgoje dy anije luftarake në Detin e Zi. Ankaraja është informuar para dy javësh përmes kanaleve diplomatike për kalimin prej tyre të ngushticës së Bosforit, bëri të ditur një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme në Ankara. Kalimi tranzit është planifikuar në mes të prillit. Anijet do të qëndrojnë deri në fillim të majit në Detin e Zi. Kremlini e shikon këtë si provokim.

“Çdo lloj mbështetje ushtarake e Ukrainës, do të thotë inkurajim i Kievit për dhunë ushtarake në juglindje“, tha politikani rus për çështjet e jashtme, Konstantin Kosatçov.

Telefonata Putin-Erdogan

Putin telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai theksoi se plani i paqes së vitit 2015 është baza për dhënien fund të konfliktit.

Sipas mediave ukrainase është planifikuar edhe një takim i Selenskyjt me presidentin francez, Macron. Gjermania dhe Franca prej vitesh përpiqen të ndërmjetësojnë në konfliktin e Ukrainës.


(Kosova Sot Online)