‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur’ në ditën e Masakrës së Mejës kërkon mobilizim politik që bota ta njoh gjenocidin serb në Kosovë

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 13:43
 ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur’ në ditën e Masakrës së Mejës kërkon mobilizim politik që bota ta njoh gjenocidin serb në Kosovë

Organizata ‘Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur’ ka bërë thirrje për mobilizim në ditën e përkujtimit të Masakrës së Mejës.

Nga kjo organizatë kërkojnë një mobilizim të përgjithshëm politik, diplomatik dhe mediatik që “krimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës të njihet botërisht si krim i gjenocidit dhe përgjegjësit për këtë krim të ballafaqohen me drejtësinë!”.

Komunikata e plotë:

Në ditën e përkujtimit të krimit gjenocidar në Mejë – Apel për mobilizim!

Në ditën e sotme përkujtojmë njërin ndër masakrat më mizore që ndërmorën forcat e armatosura të Serbisë gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë.

Më 27 prill 1999, në afërsi të fshatit Korenicë dhe tek udhëkryqi Meje-Orize, forcat e armatosura serbe bënë ndarjen e meshkujve nga kolona e civilëve shqiptarë që dëboheshin për në Shqipëri dhe ekzekutuan 374 meshkuj nga mosha 13 deri në moshën 90-vjeçare.

Krimi i gjenocidit në Masakrën e Mejës u shoqërua me strategjinë serbe të fshehjes së gjurmëve. Vetëm një pjesë e kufomave kanë mundur të gjenden e të identifikohen. Një pjesë e madhe e tyre është bartur me kamionë në pjesë të brendshme të Serbisë për tu varrosur në varreza masive ose për tu djegur, në mënyrë që të fshihen gjurmët e krimit.

Fatkeqësisht, 22 vjet pas këtij krimi monstruoz, kriminelët që kryen gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë janë në krye të strukturave politike, ushtarake dhe policore të Serbisë, ndërsa familjarët e viktimave ende presin ndriçimin e fatit të atyre që konsiderohen të zhdukur!

Në këtë ditë përkujtimi Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” kërkon një mobilizim të përgjithshëm politik, diplomatik dhe mediatik që krimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës të njihet botërisht si krim i gjenocidit dhe përgjegjësit për këtë krim të ballafaqohen me drejtësinë!

Gjenevë, 27 prill 2021
Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur

(Kosova Sot Online)