Në qytetin me një viktimë çdo 4 minuta, shtretërit rezervohen për gjykatës

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 15:09
 Në qytetin me një viktimë çdo 4 minuta, shtretërit rezervohen për gjykatës

Autoritetet në kryeqytetin e Indisë urdhëruan që një hotel luksoz të shndërrohet në spital për Covid-19 për përdorim ekskluziv nga gjykatësit e Gjykatës së Lartë dhe familjarët e tyre, duke nxitur reagime në qytetin që ka mbetur pa shtretër të lirë në spitale dhe oksigjen mjekësor për qindra njerëz.

Qeveria qendrore tha përmes një njoftimi publik të hënën në mbrëmje se ka marrë kërkesë nga Gjykata e Lartë e Delhit për shkak të shtimit të madh të rasteve të koronavirusit dhe ka rezervuar 100 dhoma në Hotelin “Ashoka” për gjykatësit e lartë.

Ky vendim u kundërshtua ashpër nga opozita. Zëdhënësi i partisë kryesore opozitare, Kongresi, Javieer Shergill, tha: “Për hir të drejtësisë, integritetit dhe besimit në sistemin e drejtësisë, Gjykata e Lartë e Delhit duhet që ta anulojë vendimin.”

Kryeqyteti indian është një nga qytetet më të prekura nga vala e dytë e pandemisë, pasi çdo i treti që po testohet po del pozitiv, shkruan Reuters.

Spitalet po i kthejnë pacientët, sepse nuk kanë shtretër të lirë apo oksigjen mjekësor. Qyteti po raporton mesatarisht nga një të vdekur për çdo katër minuta.

Gjykatësit nuk janë në listën e punëtorëve që janë në vijën e frontit në pandemi dhe shumica e gjykatave janë duke funksionuar në mënyrë virtuale.

(Kosova Sot Online)