Reformat në arsim në Kamenicë, kryetarët e komunave mbështesin Qëndron Kastratin

  • E.K /
  • 05 May 2021 - 10:34
 Reformat në arsim në Kamenicë, kryetarët e komunave mbështesin Qëndron Kastratin

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është duke përcjell më shqetësim ndërhyrjet e Ministrisë së Arsimit lidhur me reformën në arsimin parauniversitar në Komunën e Kamenicës.

Këshilli i Kryetarëve me këtë rast ka kërkuar zbatimin e opinionit Ligjor të Zyrës së Kryeministrit i cili i jep të drejtë Kryetarit të Kamenicës në veprimet e tija që konsiderohen ligjore.

“Në takimin e përbashkët me përfaqësuesit e Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kryetari i Komunës së Kamenicës z. Qendron Kastrati dhe përfaqësuesit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), kanë paraqitur argumentet e tyre lidhur me ndërhyrjen që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka bërë komunave në kompetencat vetanake, sipas Ligjit mbi Vetëqeverisje Lokale, andaj opinioni Ligjor është kthyer në favor të Komunave dhe së shpejti presim edhe anulimin e U.A. (MASH) Nr. 104/2020 ana e Kryeministrit të Kosovës.

Siç dihet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në muajin shtator 2020, ka miratuar Udhëzimin Administativ nr.104/2020 për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, me të cilën ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës të parapara me Kushtetutën e Kosovës dhe të rregulluara me Ligjin nr.03/L- 040 për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Më tej në njoftim theksohet se Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës që përfaqëson gjithë pushtetin lokal në Kosovë, kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij Udhëzimi sepse ka ndërhyrje direkte të pushtetit qendror në pushtetin lokal.

“Opinioni Ligjor i Zyrës së Kryeministrit ndër të tjera thotë: “Si përfundim, Zyra Ligjore është e mendimit se: Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me rastin e nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ nr.104/2020 nuk ka pasur bazë të mjaftueshme ligjore për marrjen e kompetencës për themelimin e institucioneve arsimore parauniversitare, por vetëm për caktimin e kritereve në bazë të të cilave, komunat, në ushtrimin e kompetencave vetanake, do të themelonin këto institucione. Kjo për arsye se themelimi dhe pushimi i veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar nuk përcaktohet shprehimisht e as në mënyrë të nënkuptuar si fushë e përgjegjësisë apo si detyrë e MASH-it, qoftë me Rregulloren (QRK) – Nr.07/2020 për Ndryshimin dhe

Plotësimin e Rregullores (QRK) – Nr.06/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, apo me ligjet në fuqi”.

Andaj, Këshilli i Kryetarëve vlerëson se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe as Ministrja Nagavci nuk ka të drejtë të ndërhyjë në kompetencat e komunës në organizimin e arsimit fillor dhe të mesëm, sepse është detyrë e komunës të organizoj sistemin arsimor sipas ligjeve në fuqi, të caktojë ku janë shkollat dhe cilët janë mësimdhënësit”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Kryetarëve ka kërkuar që ministrja e Arsimit të ndaloj këto tendenca për ndërhyrje të jashtëligjshme ndaj pushtetit lokal në Republikën e Kosovës.

(Kosova Sot Online)