Kurti takoi ambasadoren e Finlandës në Kosovë, flasin për vaksinat Anti-COVID

  • A.P /
  • 06 May 2021 - 15:59
Kurti takoi ambasadoren e Finlandës në Kosovë, flasin për vaksinat Anti-COVID

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë  dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci priti në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.

Ambasadorja e uroi kryeministrin për formimin e qeverisë duke i dëshiruar sukses në qeverisje.

Kryeministri Kurti vlerësoi marrëdhëniet miqësore mes Kosovës e Finlandës.

Ai e njoftoi ambasadoren lidhur me procesin e vaksinimit në Kosovë dhe përpjekjet e qeverisë për të siguruar vaksina, dhe u interesua për mundësitë e mbështetjes me vaksina nga Finlanda.

Në takim u bisedua për format dhe rrugët e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit social dhe zhvillimit ekonomik – me fokus në industrinë e përpunimit të drurit. Kryeministri dhe ambasadorja theksuan nevojën e investimeve të reja, dhe diskutuan mbi potencialin e bashkëpunimit mes investitorëve finlandezë dhe ndërmarrësve të Kosovës në Finlandë.

Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Stjernvall folën edhe për rëndësinë e përmirësimit të nivelit të arsimit në vend dhe gjithëpërfshirjen në arsim. Po ashtu, shqyrtuan mundësitë e shkëmbimit të praktikave të mira të sistemit arsimor të Finlandës dhe për fuqizimin e rolit të mësimdhënësve në procesin arsimor.

(Kosova Sot Online)