Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kosovë

  • A.P /
  • 09 May 2021 - 11:28
Vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kizhevak për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kosovë

Kanë vazhduar në Kizhevak të Rashkës, Serbi, gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, të rifilluara më 5 maj.

Gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës. 

Gërmimet do të vazhdojnë në këtë lokacion edhe javët në vijim, deri në vlerësimin e plotë të tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe zhvarrosjes së të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë në këtë lokacion. 

Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe institucioneve të Serbisë .

Derisa të shtunën, lokacioni i varrezës masive në Kizhevak, Serbi, është vizituar edhe nga një delegacion i lartë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nga Gjeneva të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur. 

Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të këtij procesi, në veçanti pas konfirmimit edhe përmes analizës së ADN-së se mbetjet mortore të zhvarrosura në fund të vitit të kaluar iu përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional  familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë. 

(Kosova Sot Online)