Vdekja e tre kosovarëve në Gjirin e Lalzit, mjeku tregon pse nuk i dërguan në spital

  • A.P /
  • 09 May 2021 - 16:26
Vdekja e tre kosovarëve në Gjirin e Lalzit, mjeku tregon pse nuk i dërguan në spital

Mjeku Bardhyl Belba ka folur për herë të parë për vdekjen e tre familjarëve kosovarë. Familja Haliti ishte nga Gjilani, por prej ditësh kishte shkuar në Gjirin e Lalzit ku kishin blerë edhe një shtëpi prej 4 vitesh për të pushuar.

Por autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se ata kanë ndërruar jetë pasi kanë konsumuar kërpudhat që kanë mbledhur në pyll.

Mjeku ka treguar simptomat e para që kanë konstatuar te pacientët e tyre dhe mjekimin që u dha, ndërsa shtoi se nuk i kanë ndërruar në spitalin e Durrësit, apo Tiranës, pasi gjendja e tyre pas marrjes së medikamenteve është paraqitur e mirë.

“Familja Haliti është paraqitur në Qendrën Shëndetësore në Manëz më datë 5 maj rreth orës 1:30 të mëngjesit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, me të vjella, këputje trupi, dhimbje barku dhe janë vizituar nga mjeku i shërbimit të urgjencës dhe është trajtuar me mjekimin përkatës”, ka deklaruar ai.

“Pas mjekimit personat janë përmirësuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Po atë ditë rreth orës 13:30 është paraqitur nëna e tyre me të njëjtat simptoma. Pasi ka marrë mjekimin e duhur është përmirësuar. Janë ngritur vetë dhe kanë dalë normal. Për arsye të thjeshtë, që pacienti ishte i përmirësuar nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës apo Tiranë. Ne e kemi procedurë, nëse pacienti del i përmirësuar s’ka pse të shkojë në spital, por nëse gjendja e pacientit vazhdon të rëndohet ne i dërgojmë në spital. Nuk ishte e domosdoshme për të shkuar në Durrës”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)