7 dekada konflikt, historia e përplasjeve Izrael-Palestinë

  • G.G /
  • 14 maj 2021 - 13:49
7 dekada konflikt, historia e përplasjeve Izrael-Palestinë

Përshkallëzimi i luftimeve midis izraelitëve dhe palestinezëve ka bërë që OKB të paralajmërojë fillimin e një luftë në shkallë të gjerë. Konflikti kohët e fundit pasoi një muaj tensionesh në rritje në Jeruzalem, megjithëse konflikti ka vazhduar prej 7 dekadash.

Si nisi konflikti?

Britania mori kontrollin e zonës së njohur si Palestinë pas humbjes së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore. Në të banonin një pakicë hebreje dhe shumica arabe. Tensionet midis dy popujve u rritën kur ndërkombëtarët i dhanë Britanisë detyrën e krijimit të një “kombi” në Palestinë për  hebrenjtë.

Për hebrenjtë, ajo ishte vatra e tyre stërgjyshore, por arabët palestinezë gjithashtu kishin pretendime për tokën dhe nuk pranuan vendimin.

Midis viteve 1920 dhe 40, u rrit numri i hebrenjve që mbërritën atje, shumë prej tyre ishin larguar nga persekutimi në Europë duke kërkuar një vend pas Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore.

Dhuna midis hebrenjve dhe arabëve dhe kundër sundimit britanik, gjithashtu u rrit. Në 1947, OKB votoi që Palestina të ndahet në 2 shtete  hebrenjtë dhe arabët, me Jeruzalemin duke u bërë një kryqytet ndërkombëtar.

Ky plan u pranua nga udhëheqësit hebrenj, por u refuzua nga pala arabe dhe nuk u zbatua kurrë.

Krijimi i Izraelit dhe ‘Katastrofa’

Në vitin 1948, në pamundësi për të zgjidhur problemin, sundimtarët britanikë u larguan dhe udhëheqësit hebrenj shpallën krijimin e shtetit të Izraelit. Shumë palestinezë e kundërshtuan dhe kështu nisi lufta. Qindra mijëra palestinezë u larguan ose u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në atë që ata e quajnë Al Nakba, ose “Katastrofa”.

Në kohën kur  përfundoi konflikti, Izraeli kontrollonte pjesën më të madhe të territoreve. Jordania pushtoi tokën e cila u bë e njohur si Bregu Perëndimor dhe Egjipti pushtoi Gazën. Jeruzalemi ishte i ndarë midis forcave izraelite në Perëndim, dhe forcave jordaneze në Lindje.

Për shkak se nuk kishte kurrë një marrëveshje paqeje – secila palë fajësoi tjetrën. Kjo çoi në shumë luftëra në dekadat që pasuan.

Harta sot

Në 1967, Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, si dhe pjesën më të madhe Golan dhe Gaza dhe gadishullin Egjiptian Sinai. Shumica e refugjatëve palestinezë dhe pasardhësit e tyre jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor, si dhe në Jordani, Siri dhe Liban.

As ata, as pasardhësit e tyre nuk janë lejuar nga Izraeli të rikthehen në shtëpitë e tyre – Izraeli thotë se kjo do të kërcënonte ekzistencën e tij si një shtet hebre.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe megjithëse u tërhoq nga Gaza, OKB ende e konsideron atë pjesë të tokës si territoritë okupuar. Izraeli pretendon se Jeruzalemi është kryeqyteti i tij, ndërsa palestinezët pretendojnë Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm Palestinez.  Shtetet e Bashkuara janë një nga vendet e vetme që mbështesin pretendimet e Izraelit.

Në 50 vitet e kaluara Izraeli ka ndërtuar shtëpi në këto zona, ku tani jetojnë më shumë se 600,000 hebrenj. Palestinezët thonë se këto janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe janë pengesa për paqen, por Izraeli e mohon diçka të tillë.

Çfarë po ndodh tani?

Tensionet  janë rritur midis Izraelitëve dhe Palestinezëve që jetojnë në Jeruzalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor. Gaza drejtohet nga një grup militant palestinez i quajtur Hamas. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë  kufijtë e Gazës për të ndaluar shitjen e armëve në Hamas.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thanë se po vuajnë për shkak të veprimeve dhe kufizimeve izraelite. Izraeli nga ana tjetër ka thënë se po kundërpërgjigjet për të mbrojtur vendin nga dhuna palestineze. Gjërat janë përshkallëzuar që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, në mes të prillit 2020.

Kërcënimi për të dëbuar disa familje palestineze në Jeruzalemin Lindor gjithashtu ka rritur zemërimin te shumica, raporton abcnews.al

Cilat janë problemet kryesore?

Ka një sërë çështjesh për të cilat Izraeli dhe Palestinezët nuk mund të bien dakord. Këto përfshijnë atë që duhet të ndodhë me refugjatët palestinezë, nëse vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duhet të qëndrojnë ose të hiqen, nëse të dy palët duhet të ndajnë Jeruzalemin, dhe  ndoshta më e ndërlikuara nga të gjitha  nëse një shtet palestinez duhet të krijohet së bashku me Izraelin.

Bisedimet për paqe kanë qenë në diskutime për më shumë se 25 vite, por  konflikti ende nuk është zgjidhur.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

Me pak fjalë, situata nuk do të zgjidhet së shpejti. Plani më i fundit për paqe, i ideuar nga Shtetet e Bashkuara , kur Donald Trump ishte President – i quajtur “marrëveshja e shekullit” nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu  është hedhur poshtë nga palestinezët duke e cilësuar si  të njëanshëm.

Çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të ketë nevojë që të dy palët të bien dakord për të zgjidhur çështjet komplekse.

Derisa të ndodhë kjo, konflikti nuk do të marrë fund.

(Kosova Sot Online)