Pakësohen luftimet, asnjë i vrarë në Gaza nga sulmet e natës

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 10:37
 Pakësohen luftimet, asnjë i vrarë në Gaza nga sulmet e natës

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë të martën se nuk kanë raporte për palestinezë të vrarë gjatë natës nga sulmet e vazhdueshme të izraelit në enklavën e izoluar. Kjo është ulja e parë e dukshme e pasojave në njerëz që nga shpërthimi i luftimeve më 10 maj.

Një dëshmitar i agjencisë Reuters tha se edhe sulmet palestineze me raketa kundër Izraelit u zbehën nga mesnata deri në orën 10 të paradites. Sipas alarmit izraelit për raketa, sulmet më të reja ishin të përqendruara te komunitetet kufitare e jo aq shumë në territorin e brendshëm të Izraelit.

Fuqitë botërore janë duke bërë thirrje për armëpushim. Këtyre thirrjeve iu bashkua edhe presidenti amerikan, Joe Biden. Megjithatë, zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Hidai Zilberman, tha se forcat e armatosura janë duke vazhduar të operojnë sipas listës së caqeve gjatë 24 orëve të ardhshme.

“Forcat Izraelite të Mbrojtjes nuk janë duke folur për armëpushim. Ne jemi të përqendruar në sulme”, deklaroi Zilberman për një radio-stacion izraelit.

Banorët e Gazës thanë se gjatë natës kanë numëruar 60 sulme izraelite, shkruan Reuters.

Zyrtarët e të dyja palëve të konfliktit kanë thënë më parë se disa nga njerëzit që kanë pësuar nga sulmet janë zënë nën rrënojat e ndërtesave të rrëzuara, prandaj nxjerrja e menjëhershme e numrit të të vdekurve dhe të lënduarve është e vështirë.

(Kosova Sot Online)