Padia ndaj Blinken, Berisha: PD nuk ka lidhje me këtë, betejën do ta bëjnë avokatët

  • A.P /
  • 20 May 2021 - 19:05
Padia ndaj Blinken, Berisha: PD nuk ka lidhje me këtë, betejën do ta bëjnë avokatët

Ish-kryeministri, Sali Berisha në konferencën e zhvilluar ditën e sotme deklaroi se këtë betejë të nisur do ta bëjnë avokatët.

Ai u shpreh se grupi parlamentar i PD-së nuk ka lidhje me këtë çështje, duke shtuar se është ai që do të vendosë në vend dinjitetin e tij dhe se shpalljen “non-grata” nga SHBA ndaj tij dhe familjes e konsideron cënim të dinjitetit.

 “Grupi parlamentar nuk ka lidhje me betejën time, betejën do ta bëjnë avokatët. Unë jam dhe insistoj për marrëdhënie të mira, por duhet të kuptohet që harmonizimi i objektivave do kohë të evolojë.

Unë nuk jam në gjendje ta pohoj se çfarë i shtyu pas 8 vitesh i tërhequr nga drejtimi i vendit, se në politikë jam. Me rëndësi është që motivi është i bazuar mbi të pavërteta”, tha Berisha.

Më tej ish-kryeministri tha se familjarët, njësoj si ai kanë respektuar ligjet e vendit.

“Ka tetë vite akuza dhe asnjë proces, asnjë padi penale. Përse? Sepse nuk kanë prova, gjithmonë i kam respektuar ligjet. Unë thash se do t’i drejtohem gjykatës dhe besoj se nuk duhet të flas më për këtë çështje”, u shpreh ish-kryeministri.

Berisha ritheksoi se për të me rëndësi janë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por më me rëndësi është dinjiteti njerëzor.

“Dinjiteti i njeriut është thelbi i njeriut të lirë. Jam përpjekur gjithë jetën ta ruaj”, tha Berisha.

(Kosova Sot Online)