Detaje nga kultivimi i kriptovalutave në veri të Mitrovicës

  • A.P /
  • 26 May 2021 - 16:56
Detaje nga kultivimi i kriptovalutave në veri të Mitrovicës

Dyshimet për keqpërdorime me energjinë elektrike në Veri janë shtuar viteve të fundit. Rryma atje dyshohet se po përdoret për prodhimin e kriptovalutave. Por, pavarësisht kësaj, Kuvendi i Kosovës ka autorizuar KOSTT-in që të paguajë 11 milionë euro për energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore.

Prokuroria e Qeveria e Kosovës duket se i kanë mbyllur sytë krahas raportimeve për keqpërdorimin e rrymës në Veri të vendit, saktësisht përdorimin e saj për prodhimin e kriptovalutave.

Në këtë pjesë të vendit, raportohet se janë vendosur mijëra pajisje që prodhojnë valuta digjitale, e që shpenzojnë shumë energji.

Dyshimet për keqpërdorime i shtojnë edhe më shumë të dhënat e KOSTT’it, për konsumin e energjisë atje, viteve të fundit.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), i kanë thënë, se konsumi i energjisë elektrike ka shënuar rritje në komunat veriore gjatë viteve të fundit.

Menaxherja për Komunikim dhe Relacione me Pubikun në KOSTT, Zana Bajrami-Rama, ka thënë se rritja e konsumit në vitin 2019 në raport me 2018’n ka qenë 7 përqind, derisa në vitin 2020, konsumi ka qenë për 13 përqind më i lartë krahasuar me vitin 2019.

“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në vitin 2019 në raport me vitin 2018 ka qenë 7% ndërsa në vitin 2020 konsumi në Veri ka qenë për 13 % më e lartë krahasuar me vitin 2019”, thuhet në përgjigjet e Bajrami-Ramës drejtuar gazetës.

Dyshimet për shfrytëzim të energjisë elektrike në Veri për prodhimin e kriptovalutave janë përmendur edhe në Komision Parlamentar për Ekonomi.

Deputeti Pal Lekaj, i cili është anëtar i këtij Komisioni, ka thënë se në komision është përmendur keqpërdorimi i rrymës nga disa deputetë, por se të njëjtit s’kanë prezantuar ndonjë dokument që do të mund ta argumentonin.

“Është përmend keqpërdorimi i rrymës për prodhimin e Bitcoin nga disa deputetë që janë anëtarë të komisionit parlamentar. Nuk kanë ndonjë dokument që mund ta argumentojnë. Nuk ka ndonjë raport zyrtar për këtë punë”, ka deklaruar Lekaj

E se në Kosovë janë blerë me të madhe paisje kompjuterike që prodhojnë kriptovaluta e dëshmojnë edhe statistikat e Doganës për importin e pajisjeve që përdoren për prodhimin e tyre.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, i ka thënë se gjatë këtij viti janë importuar pajisje për prodhimin e Bitcoin dhe kartela grafike në vlerë prej rreth 600 mijë euro.

“Për të kuptuar çështjen e Kriptovalutave duhet të dihet të kthehemi në kohen kur ka qenë Pika Kulminante e Interesimit për Blerje te Pajisjeve për prodhim të Kriptovalutave. Kjo në Kosovë ka ndodhë në vitin 2017 dhe 2018”, thuhet në përgjigjet e Stavilecit.

Ai ka bërë me dije se gjatë këtyre viteve janë blerë pajisje në vlerë rreth tetë milionë euro.

Rreth 3.4 milionë euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve antiminer që përdoren për prodhimin e Bitcoin, derisa 4.8 milionë euro për kartela grafike, që përdoren për prodhimin e pajisjeve te quajtur RIGA, që prodhojnë Kriptovaluta të tjera, si psh ETHERIUM.

Stavileci ka treguar se kanë hasur edhe në raste të kontrabandës me pajisje të tilla.

“Gjatë dy viteve të fundit Dogana e Kosovës i ka trajtuar dy raste të Kontrabandimit të Aparateve për Prodhim te Kriptovalutave dhe me ketë rast janë konfiskuar 47 Aparate te tilla (Riga)”, ka deklaruar Stavileci.

Ndryshe, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstentim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)