Mbi 100 mijë vaksina Pfizer arrijnë në Kosovë

  • A.P /
  • 27 May 2021 - 20:48
Mbi 100 mijë vaksina Pfizer arrijnë në Kosovë

Edhe 100 mijë e 620 vaksina Pfizer kanë arritur sot në Kosovë, falë Aleancës Gavi të COVAX në Republikën e Kosovës.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Ministria e Shëndetësisë.

“Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit”, thuhet në komunikatë.

Nga MSH, theksojnë se “Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19”.

“100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu shton se pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende.

“Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë masat e mëposhtme të parandalimit – mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e mirë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të kontribuar në parandalimin e humbjeve të jetës dhe komplikimeve serioze të  shëndetit të shkaktuara nga pandemia COVID-19”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)