KMDLNJ reagon për mbajtjen e liturgjinës në Kishën Ortodokse në Prishtinë: Është provokim politik

  • E.K /
  • 10 June 2021 - 15:42
 KMDLNJ reagon për mbajtjen e liturgjinës në Kishën Ortodokse në Prishtinë: Është provokim politik

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut ka reaguar për mbajtjen e liturgjinës në Kishën Ortodokse në Prishtinë.

Nga KMDLNJ kanë thënë se ky është provokim politik i kishës ortodokse serbe.

“KMDLNj tërheq vërejtjen se këto veprime provokuese mund dhe do të provokojnë reagimin e studentëve të UP-së, me pasoja të paparashikueshme. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë që të parandalojnë eskalimin e situatës ndryshe do të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Në prag të vazhdimit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, Kisha Ortodokse serbe e mbajti Liturgjinë në Kishën Ortodokse Politike e ndërtuar në hapësirën e UP, “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Kisha ishte ndërtuar në kohën e okupimit të hapësirës universitare nga regjimi serb dhe në bazë të ligjeve diskriminuese. Kjo kishë që moti është dashur të zhvendoset nga ajo hapësirë dhe vetëm oportuniteti politikë i politikanëve vendorë dhe kërcënimi i faktorit ndërkombëtarë e ka mbajtur mbi këmbë. KMDLNj e njeh dhe respekton të drejtën e ushtrimit të drejtave dhe lirive fetare për të gjithë besimtarët në bazë të bindjeve dhe vullnetit por e kundërshton manipulimin e fesë për qëllime politike. Rasti i mbajtjes së Liturgjisë në një objekt të papërfunduar dhe me status të parregulluar, KMDLNj e konsideron si provokim.

Kisha Ortodokse serbe, e sigurt se për shkak të ndjeshmërisë së situatës politike në Kosovë askush nuk do të intervenojë e ka keqpërdorur për qëllime politike një aktivitet shpirtërorë dhe fetar. Këso aktivitete nuk duhet të lejohen në të ardhmen aq më parë që në Prishtinë dhe rrethinë ka hapësira të mjaftueshme dhe funksionale për ushtrim të aktiviteteve fetare.

KMDLNj tërheq vërejtjen se këto veprime provokuese të KOS – mund dhe do të provokojnë reagimin e studentëve të UP-së, me pasoja të paparashikueshme. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë që të parandalojnë eskalimin e situatës ndryshe do të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme.

(Kosova Sot Online)