Ministria e Gërvallës sqaron se pse nuk po u shkojnë pakot ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

  • A.P /
  • 10 June 2021 - 18:00
Ministria e Gërvallës sqaron se pse nuk po u shkojnë pakot ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), aktualisht nuk është duke shërbyer si rrugë përmes së cilës familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë u dërgojnë atyre pako me gjësende, siç kishte ndodhur deri tash.

Në një përgjigje, MPJD-ja ka thënë se ka skaduar kontrata me operatorin që e kryente procesin e dërgimit të pakove për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

“Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit. Arsyet janë ligjore dhe lidhen me të kaluarën”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se po punon për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për këtë çështje.

“MPJD-ja është duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë”, thuhet në përgjigje.

Më herët gjatë ditës, Gresë Krasniqi, vajza e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është ankuar se nuk po mund t’i dërgojnë ish-kryeparlamentarit në Hagë pako me gjëra esenciale.

“Pakot me gjëra esenciale deri tash i kem dërgu në dhomat e paraburgimit në Hagë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Donika Shwarz, paska marr vendim që ato pako mos me u dërgu permes Ministrisë së saj. Ajo duhet me i lënë anash ose inatet personale ose ministrinë që aq dobët e udhëheq ose të përgjigjet për veprimet e saj! Krejt dhe Zhdrejt!”, ka shkruar Gresë Krasniqi në një postim në Facebook.

(Kosova Sot Online)