NATO’ja rikonfirmon forcën e aleancës, denoncon Kinën dhe Rusinë

  • A.P /
  • 14 June 2021 - 22:37
NATO’ja rikonfirmon forcën e aleancës, denoncon Kinën dhe Rusinë

30 vendet anëtare të NATO’s përfunduan të hënën takimin e nivelit të lartë në Bruksel, duke riafirmuar aleancën ushtarake me një deklaratë të fortë kundër Rusisë dhe në një nivel më të moderuar ndaj Kinës.

Të dyja vendet u konsideruan si “sfida ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Në komunikatën përfundimtare, udhëheqësit ranë dakord të “hapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet transatlantike”, pasi përballen me një mjedis sigurie “gjithnjë e më kompleks”.

Aleanca miratoi “NATO 2030” një mekanizëm konsultimi për t’u përgatitur për Konceptin e saj të ardhshëm Strategjik, një dokument që ka si qëllim ta orientojë aleancën drejt konkurrencës globale në rritje dhe kërcënimeve më të paparashikueshme.

“NATO 2030” përfshin ndërgjegjësimin për një “Rusi më agresive”, për një “formë më brutale terrorizmi”, paqëndrueshmërinë e vazhdueshme, rritjen e kërcënimeve kibernetike dhe hibride, teknologjitë e reja, pandemitë dhe ndryshimin e klimës si kërcënimet të reja.

Dokumenti gjithashtu pohon se “fuqizimi i Kinës e zhvendos thellësisht ekuilibrin e pushtetit.”

{550300/}

“Duke rënë dakord (mbi) axhendën e NATO-s 2030, udhëheqësit kanë marrë vendime për ta bërë aleancën tonë më të fortë dhe ta përshtasin më mirë për të ardhmen,” tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg gjatë një konference shtypi në fund të samitit.

Moska mohon çdo keqbërje, por aleatët janë gjithnjë e më të shqetësuar duke pasur parasysh agresionin e fundit të Rusisë në kufirin e saj lindor dhe sulmet e saj të fshehta dhe kibernetike për të minuar shtetet perëndimore.

Në një referencë tjetër të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, anëtarët e NATO’s ranë dakord mbi një politikë të re të mbrojtjes kibernetike.

“Hapësira kibernetike rrezikohet në çdo kohë dhe ne duhet të kemi aftësi të forta teknike, konsultime politike dhe planifikim ushtarak për të mbajtur të sigurt sistemin tonë “, tha zoti Stoltenberg.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u takua më herët me udhëheqësit e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – vendet që fituan pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik në 1991. Ato janë tani anëtare të plota të NATO’s dhe Bashkimit Evropian, megjithatë vendet baltike janë të kujdesshme ndaj ambicieve rajonale të Kremlinit.

Në një intervistë të fundit me NBC, Presidenti rus Vladimir Putin e quajti NATO-n “një relike të Luftës së Ftohtë”.

“Nuk jam i sigurt pse vazhdon të ekzistojë,” tha zoti Putin.

Presidenti Biden do të takohet me të në Gjenevë të mërkurën.

Stoltenberg tha se prania ushtarake në rritje e Kinës nga Balltiku në Afrikë do të thotë që NATO-ja duhet të jetë e përgatitur.

“Kina po vjen më pranë nesh. Ne i shohim ata në hapësirën kibernetike, e shohim Kinën në Afrikë, por gjithashtu shohim që Kina investon shumë në infrastrukturën tonë kritike,” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Alice Billon-Galland, një studiuese në organizatën Chatham House me bazë në Londër thotë se aleatëve evropianë u duhet të punojnë si me Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe me Kinën, por në fund të fundit nuk duan të gjenden në mes të një konfrontimi mes Uashingtonit dhe Pekinit.

“Aleatët evropianë janë mjaft të kujdesshëm përsa i përket mënyrës se si i qasen kësaj çështjeje dhe në një farë mase ngurrojnë që NATO-ja të angazhohet shumë në çështjet e lidhura me Kinën ose çështjet e Indo- Paqësorit,” tha ajo.

Një ditë më parë, shumë nga udhëheqësit që u takuan të hënën në Bruksel lëshuan një deklaratë në përfundim të Takimit të G-7 në Cornwall, të Britanisë, duke denoncuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga ana e Kinës. Pekini ka akuzuar grupin për shpifje.

Tërheqja nga Afganistani

Pas 20 vitesh operacione ushtarake, NATO dhe SHBA kishin rënë dakord që do të tërheqin forcat nga Afganistani. Presidenti Biden ka caktuar 11 shtatorin 2021, si afatin e tërheqjes.

“Udhëheqësit e NATO-s riafirmuan angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen e Afganistanit, me trajnim, përkrahje ndërkombëtare për forcat dhe institucionet afgane dhe fonde për të siguruar funksionimin e vazhdueshëm të Aeroportit Ndërkombëtar,” tha zoti Stoltenberg.

NATO ka rreth 10.000 trupa në Afganistan, nga vende që përfshijnë Gjermaninë, Britaninë, Turqinë, Gjeorgjinë, Rumaninë dhe Italinë.

Aleatët janë të shqetësuar për sigurinë në ambasadat e tyre si dhe në aeroportin e Kabulit. Turqia, një anëtare e NATO-s, ka ofruar të sigurojë aeroportin në një përpjekje për të rritur rolin e saj në aleancë.

“Pyetja është nëse gatishmëria e Turqisë për ta bërë këtë, e cila është mirëpritur qartë në Uashington, do të ishte e mjaftueshme për të kapërcyer problemet e tjera në këtë marrëdhënie,” tha Bulent Aliriza, drejtor i Projektit të Turqisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Ka dyshime serioze për këtë,” tha ai.

Ruajtja dhe funksionimi i aeroportit të Kabulit është midis shumë temave të sigurisë të diskutuara nga Presidenti Biden në takimin e tij dypalësh të hënën me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Marrëdhënia SHBA-Turqi ka qenë problematike, veçanërisht pas blerjes nga ana e Ankarasë të sistemit mbrojtës rus me raketa S-400, ofensivës së saj ushtarake në Siri dhe mbështetjes për Azerbajxhanin në luftën e Nagor-Karabakut me Armeninë.

Amerika është rikthyer

Biden përcolli në Bruksel mesazhin e tij ‘se Amerika është rikthyer’, duke rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj parimit të mbrojtjes kolektive të aleancës.

“Unë dua që e gjithë Evropa të dijë se Shtetet e Bashkuara janë të pranishme. Shtetet e Bashkuara janë këtu,” tha zoti Biden në takimin e tij me zotin Stoltenberg.

Vizita e Presidentit Biden sjell një ton të ri në marrëdhëniet me aleancën ushtarake. Paraardhësi i tij, ish-Presidenti Donald Trump pati thënë se NATO-s i kishte ikur koha dhe ishte ankuar se SHBA po paguante më shumë nga sa i takonte në organizatë.

Stoltenberg tha se katër vitet e kaluara kishin nënvizuar rëndësinë e institucioneve të forta shumëpalëshe.

“Do të ketë udhëheqës të ndryshëm politikë të zgjedhur në shumë vende aleate në vitet në vazhdim,” tha ai. “Unë kam besim se për sa kohë që ne e kuptojmë se është në interes të sigurisë sonë të qëndrojmë së bashku, në interesin e sigurisë kombëtare të qëndrojmë së bashku, ne do ta ruajmë NATO-n si themelin e sigurisë sonë.”

Koncepti i fundit Strategjik i NATO-s u hartua në vitin 2010. Aleatët hezituan ta rinovonin atë gjatë viteve të vështira të administratës Trump.

(Kosova Sot Online)